Ekonomia për shtatë vjet shtet

Kosova në ditëlindjen e 7-të të pavarësisë së saj nuk mund të krenohet shumë me zhvillimin ekonomik. Entuziazmi dhe pritjet ishin shumë më të mëdha, mirëpo realiteti është krejt ndryshe.

Lajme

16/02/2015 16:26

Kosova si vendi më i ri në botë ka shkallën më të lartë të papunësisë e që kalon mbi 30 %. GDP-ja për kokë banori nuk është se ka ndonjë rritje nëse bazohemi në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, në vitin 2008 (GDP në Bruto Produktin Vendor) ishte 2 mijë e 258 euro për kokë banori, ndërsa në vitin 2013 ishte 2 mijë e 935 euro. Shpenzimet janë rritë më shpejtë se sa të hyrat. Investimet e huaja në vitin 2008 ishin 369.9 milionë euro, ato në vitin 2014 arritën një vlerë prej 121.7 milionë euro.

Mirëpo, ajo që mund të mburremi e që nuk ka pasur ndonjë efekt shumë të madh si vend i pavarur kanë qenë të hyrat buxhetore prej më shumë se 600 milionë euro, por që shpenzimet kapitale, pagat dhe mëditjet, kanë bërë që të kalohet nga suficiti në deficit primar.

Sipas Arben Mustafa, drejtor i Departamentit për Stabilitet Financiar dhe Analiza Ekonomike në Bankën Qendrore të Kosovës, që nga viti 2008 ekonomia e vendit ka treguar stabilitet dhe periudha shtatë vjeçare është karakterizua me normë të rritjes ekonomike pozitive, pavarësisht se nga ajo periudhë ekonomitë globale kishin krizë por kjo tek ne nuk është vërejtur.

Ai po ashtu thotë se GDP–ja për kokë banori nëse krahasohet me vitin 2013 kur edhe janë të dhënat e fundit ka pasur rritje, nga 2 mijë e 200 euro sa ishte në vitin 2008, në 2 mijë e 900 euro në vitin 2013.

“Nëse e krahasojmë këtë periudhë 2008/2013 ekonomia e Kosovës ka lëvizur, ka shënuar rritje dhe mbi të gjitha kjo rritje ka qenë mjaftë stabile. Problemin kryesor të ekonomisë sonë siç është norma e lartë e papunësisë, mirëpo me gjithat ka qenë një rritje e cila i ka siguruar vendit një shkallë të stabilitetit makroekonomik dhe mbi të gjitha gjatë këtyre kohëve të vështira për ekonominë globale ekonomia e Kosovës asnjë herë nuk ka kaluar në rënie ekonomike mirëpo përkundrazi kemi pasur një rritje të qëndrueshme ekonomike me një normë do të thotë mesatarisht është sill diku rreth prej 3 deri në 4 % “, thotë Mustafa.

Mustafa po ashtu ka thënë se përformanca e investimeve direket në Kosovë ka qenë e luhatshme për këto 7 vite. Ai thotë se në vitin 2008 investimet janë rritë për shkak të privatizimit e që në vitet në vazhdim ka pasur rënie. Po ashtu, thotë se remitancat kanë vazhduar të jenë burim i rëndësishëm për ekonominë e vendit.

“Në këtë mënyrë nëse e shohim shumën e investimeve të huaja të cilat kanë rrjedh në Kosovë në vitin 2008 dhe shumën e cila ka rrjedh në Kosovë në vitin 2014 me të dhënat deri në shtator, shohim që ka një rënie mirëpo kjo rënie reflekton në dinamikën e procesit të privatizimit, po ashtu reflekton edhe kushtet e përgjithshme në ekonomitë e vendeve të zhvilluara.Pas luftës remitencat kanë vazhduar të jenë një burim i qëndrueshëm i financimit për ekonominë e Kosovës. Nëse e shohim vlerën e remitencave në vitin 2008 vlera e tyre ka qenë rreth 608 milionë euro, ndërsa, në vitin 2014 me të dhënat deri në shtator të vitit 2014, shuma e remitencave ka arrit në 505 milionë euro dhe kur kemi parasysh edhe tre mujorin e fundit të vitit 2014, atëherë do të shohim se vlera e remitencave ka vazhduar të rritet“, tha Mustafa.

Zëvendësministri i ministrisë së financave, Agim Krasniqi, thotë se të shpenzimet janë rritë më shumë se të hyrat.

“Buxheti prej vitit 2008 deri në vitin 2014 edhe planifikimet për vitin 2015 edhe 2017 realishtë te pjesa e të hyrave ka një rritje e cila rritje nëse krahasohet me pjesën që ka të bëjë me shpenzimet, shpenzimet janë rritë më shpejtë se sa të hyrat….Ka shumë faktor që kanë ndikuar normalisht që edhe kjo pjesë me ardhjen e pavarësisë kanë ardhur edhe legjislacioni i ri institucionet janë forcuar po flasë për institucionet që realizojnë të hyrat buxhetore…Është viti i parë është viti 2008 kur shpenzimet i kanë tejkaluar të hyrat, megjithatë ka qenë brenda rregullave të përgjithshme dhe nuk kemi pasur problem me ruajtjen e minimale të bilancit bankar”, ka thënë Krasniqi.

Kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahni , thotë për KosovaPress se në përvjetorin e shtatë të pavarësisë Kosovën e gjenë në një ekonomi tepër të dobët.

“Shtatë vjetari i pavarësisë së Kosovës, Kosovën nuk e gjen ashtu siç e kanë dëshiruar qytetarët e vetë. Por e gjen në një trend ekonomikë tepër të dobët me një remitancë të ngritur në krahasim me vitet e kaluara, por me investime të huaja tepër të ultë në krahasim me vitet e kaluara. Njëkohësisht kemi më pak investime por kemi edhe më shumë qytetarë të cilët janë të interesuar të dalin nga shteti dhe kjo vjen nga pakënaqësitë ekonomike që vazhdimisht Kosovën po e përcjellin nga viti në vit “, thotë Shahini.

Ai ka shtuar se asnjë qeveri deri më sot nuk ka dhënë maksimumin për të i ofruar qytetarit një mirëqenie më të mirë. Ai thotë se derisa nuk kemi prodhim dhe eksporte nuk ka zhvillim ekonomik.

“Të kemi prodhim dhe më shumë eksporte si dhe mundësi për punësim të të rinjve. Kjo nuk po ndodh dhe vazhdimisht kemi edhe rënie të ekonomisë, kemi rënie të eksportit, të punësimit të reja dhe këtë nuk e ka menduar askush pas shtatë viteve. Se çka duhet bërë, duhet bërë shumë strategji zhvillimore e ne atë strategji zhvillimore duhet të hynë edhe strategjia kundër varfërisë, kundër papunësisë dhe në këtë drejtim mund të jemi shumë më mirë në tetë vjetorin e ardhshëm”, ka thënë Shahini.

Nënkryetari i komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, Naser Osmani, ka thënë se me politikat fiskale nuk qëndrojmë keq por që duhet të krijohet siguri për investitorët e huaj.

“Prurja e investitorit nuk jemi në logjikën e tyre. Për arsye se ai investitorë i jashtë që del me kapital nga shteti i vet është krejt e pa rëndësishme se në cilin shtet investon. Për të është me rëndësi që të ketë siguri edhe që të ketë garancione në afarizmin e vet dhe ne këtë pasiguri për shkaqe të ndryshme po e krijojmë dhe ata po na ikin në shtetet fqinjë kështu që në këtë drejtim jemi jashtëzakonisht keq. Duhet me rikthye besimin sepse ne investime më e rëndësishmja është krijimi i besimit”, ka thënë Osmani.

Ai ka thënë po ashtu se është shënuar progres në krahasim kur vendi është administruar nga ndërkombëtarët, mirëpo vitet pas shpalljes së pavarësisë na kanë përcjellë me telashe.

“Normalisht që ka progres në këtë drejtim edhe që këto vite na kanë përcjell edhe me shumë telashe e sidomos në fushat ekonomike të zhvillimit të punësimit ku përqendrimi më tepër ka qenë në institucione edhe më pak në këto institucionet private ku është dashur të ketë një zhvillim më të madh dhe ku është dashur të ketë absurbim më të madh të fuqisë punëtore . Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhë….Përkundër asaj që ne konsiderohemi si një vend i vogël dhe i varfër konsideroj që Kosova ka potenciale të mira, resurse të mira….Ne kemi trashëguar një ekonomi solide por një ekonomi të cilën kemi mund të fusim në funksion por starti, fillimi ka qenë nga ndërkombëtarët në kohën e administrimit të tyre për ndërmarrjet shoqërore edhe një katrahurë që është bërë më vonë me ndërhyrje për interesa të caktuara edhe ndërhyrje politike edhe kemi krijuar një situatë të pasigurisë ne ekonomi “, ka thënë Osmani.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në vitin 2008 shteti kishte realizuar të hyra buxhetore në vlerë prej 971 milionë euro ndërsa kishte shpenzuar 946 milionë euro. Ajo që mund të vërehet nga të dhënat pas pavarësisë së vendit qeveria ka realizuar më shumë shpenzime se sa të hyra. Në vitin 2009, të hyrat e përgjithshme ishin 1 miliard e 147 milionë euro, ndërsa ishin shpenzuar 1 miliard e 188 milionë euro. Në vitin 2010, në buxhet ishin realizuar të hyra në vlerë prej 1 miliard e 166 milionë euro, ndërsa, ishin shpenzuar 1 miliard e 161 milionë euro. Kurse, në vitin 2011, në arkën e shtetit janë realizuar 1 miliard e 310 milionë euro, ndërsa, ishin shpenzuar 1 miliard e 376 milionë euro. Rritje të të hyrave qendrore të buxhetit për 2012, kapin vlerën prej 1 miliard e 321 milionë euro, ndërsa, ishin shpenzuar 1 miliard e 440 milionë euro. Të hyrat buxhetore të viti 2013, ishin në vlerë prej 1 miliard e 316 milionë euro, ndërsa, shpenzime 1 miliard e 486 milionë euro. Në vitin 2014,sipas të dhënave preliminare ishin realizuar të hyra në vlerë prej 1 miliard e 456 milionë euro, ndërsa, shpenzime 1 miliard e 589 milionë euro.

Bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore, në vitin 2008 në Kosovë janë sjellur 608.7 milionë euro nga bashkatdhetarët tanë, në vitin 2009 kanë rënë në 585.7 milionë euro, në vitin 2010 në 584.3 milionë euro, në vitin 2011 remitancat kanë pasur një rritje modeste në 584.8 milionë euro, në vitin 2012 ka pasur një rritje në 605.6 milionë euro, në vitin 2013 rritje në 620.8 milionë euro, ndërsa për 9 muaj në vitin 2014, janë sjellur 505.6 milionë euro.

Po ashtu, sipas të dhënave të Bankës Qendrore investimet e huaja direkte në vitin 2008 ishin 369.9 milionë euro, në vitin 2009, kanë rënë në 295.5 milionë euro, ndërsa në vitin 2010 janë rritë në 368.5 milionë euro, trendi i rritjes së investimeve të huaja ka vazhduar edhe në vitin 2011 në 384.4 milionë euro, ndërsa, në vitin 2012 ka pasur rënie në 229.1 milionë euro. Kurse, në vitin 2013 pësojnë rënie në 219.6 milionë, e deri në shtator të vitit 2014 të dhënat tregojnë se ka një rënie të investimeve të huaja direkte në 121.7 milionë euro.

Ndërkaq, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, GDP e Bruto Produktit Vendor në vitin 2008 ishte 2, 258 euro, në vitin 2009 ka pasur një rritje të vogël në 2,329 euro, në vitin 2010 2,480 euro, në vitin 2011 2,672 euro, në vitin 2012 kjo është rrit në 2,799 euro, kurse, në vitin 2013 ka arrit në 2,935 euro./KosovaPress/