Ekonomia e Kosovës në rrugë qorre

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu thotë se viti 2014 është cilësuar si vit i dështuar në aspektin ekonomik.

Lajme

11/01/2015 16:20

Në intervistën dhënë për Radio Evropa e Lirë, Gërxhaliu thotë se Qeveria e Kosovës duhet të vendos si prioritet për këtë vit zhvillimin ekonomik, në mënyrë që të ketë stabilitet socio-ekonomik.

“Si Odë ekonomike, ne e kemi shpallë vitin 2014 si vit të dështuar ekonomik, kjo është nga vet fakti e e kemi pas një qasje më tepër studioze pragmatike se sa marketing dhe dekor, plus i analizojmë indikatorët që shfaqin këtë brengë të dështimit ekonomik të vitit 2014”.

“E para që duhet të bëhet është që Qeveria e Kosovës ta parashtroj si prioritet zhvillimin ekonomik, në qoftë se arrin të përmbush këtë prioritet atëherë më siguri do të kemi edhe stabilitet social dhe nuk do të kemi pamje trishtuese të migrimit të të rinjve nga Kosova nëpër vendet e ndryshme evropiane”.

Gërxhaliu thotë se Qeveria duhet të mbështesë sektorin privat, pasi që sipas tij, ai është bartësi kryesor i krijimeve të vendeve të reja të punës.

“Bartës i proceseve duhet të jetë sektori privat, vetëm sektori privat mund të krijojë vende të reja të punës, mirëpo edhe sektori privat ka nevojë për mbështetje dhe mbrojtje institucionale, ku për fat të keq një gjë e tillë është duke munguar në Kosovë”.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu është shumë kritik për politikat zhvillimore të Kosovës. Ai thotë se Kosova nuk ka strategji ekonomike,

“Si mund ta dimë ku mund të jemi ekonomikisht në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme, kur Kosovës i mungon një plan nacional zhvillimor. Sikur të kemi një strategji për zhvillim ekonomik me siguri të gjithë indikatorët kishin me qene të elaboruar në një ekspertizë shkencore dhe ardhmëria kishte me qenë më ndryshe”.

“Njeriu kur dëshiron të dijë nga do të shkoj, duhet ta di se ku është, për fat të keq ne jemi këtu ku jemi dhe rrugëtimi ynë drejt ardhmërisë është si një rrugë qorre, por sektorët që më së shumti janë përmendur kohëve të fundit dhe më së paku janë shfrytëzuar janë energjetika, mineralet është edukimi dhe mbi të gjitha agrobizneset dhe përpunimi i produkteve bujqësore, por tri sektore që janë më të rëndësishme janë ndërtimtaria, përpunimi i metaleve dhe përpunimi i drurit”.

“Po të jemi të orientuar e të bazuar në ekspertizë shkencore duke implementuar planin nacional zhvillimor, atëherë trendet ekonomike në Kosovë mund të ndryshojnë me shpejtësi të madhe pozitive”, ka thënë për REL, Safet Gërxhaliu.