Egjipt, protestë pranë xhamisë Al Azhar kundër deklaratës së Trumpit për Jerusalemin

Në predikimin e tij të premten, zëdhënësi i Al-Azharit, Abbas Shuman, e përshkroi deklaratën e presidentit Trump si "ligjërisht të pavlefshme"

Bota

08/12/2017 17:23

Më shumë se dy mijë persona organizuan një demonstratë pas namazit të xhumasë jashtë xhamisë Al-Azhar në lindje të Kajros për të protestuar kundër vendimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Donald Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.

Pas namazit, protestuesit dolën nga xhamitë e mëdha në kryeqytet duke thirrur parulla anti-izraelite dhe pro-palestineze.

Demonstruesit ngritën pankarta me mbishkrimin “Jerusalemi u përket arabëve, Jerusalemi është palestinez”, “Poshtë Trump” dhe “Ku janë udhëheqësit tanë arabë?”.

Në predikimin e tij të premten, zëdhënësi i Al-Azharit, Abbas Shuman, e përshkroi deklaratën e presidentit Trump si “ligjërisht të pavlefshme”.

“Ajo që po bën ai është terrorizmi i vërtetë”, pohoi ai.

Ai tha se SHBA-të kanë humbur shumë me këtë hap dhe se kanë zgjuar edhe ata që nuk ishin në dijeni për zhvillimet.

“Asnjë musliman sot nuk do të besojë se SHBA-të kujdesen për të drejtat e tyre”, shtoi ai.

Në një deklaratë të mëparshme, Ministria egjiptiane e Vakëfeve dhe Al-Azhari thanë se predikimet e së premtes në Egjipt do të jenë të dedikuara për ta theksuar identitetin arab të Jerusalemit dhe për të dënuar vendimin e Trumpit.

Hapi i SHBA-ve, tha Shuman në predikimin e tij, “është fyerje ndaj ndjenjave të muslimanëve dhe të krishterëve”.

“Jerusalemi është dhe do të mbetet arab”, shtoi ai.

Të mërkurën, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka ardhur koha ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane në këtë qytet, edhe pse rezoluta 478 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) në vitin 1980 nuk e njeh aneksimin e Jerusalemit Lindor dhe shpalljen e qytetit si kryeqytet të Izraelit.

Zhvendosja dramatike në politikën amerikane shkaktoi demonstrata në territoret e pushtuara palestineze si dhe në Turqi, Egjipt, Jordani, Tunizi, Algjeri, Irak dhe në disa vende të tjera muslimane./aa/