Effenberg kritikon Guardiolën dhe Riberyn

Ish mesfushori i Bayern Munichut, Stefan Effenberg nuk është adhurues i strategjisë së lojës së Pep Guardiolës dhe thotë se gjiganti bavarez është duke stagnuar edhe për shkak të “krizës” së mesfushorit Franck Ribery.

Sport

29/04/2014 11:46

Ish mesfushori i Bayern Munichut, Stefan Effenberg dyshon nëse filozofia e Pep Guardiolës do t’i sjellë ekipit trofeun e Ligës së Kampionëve këtë sezon, edhe për faktin se futbollisti kryesor, Franck Ribery është në “krizë”.

Gjiganti bavarez humbi 1:0 në udhëtim te Real Madrid në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve javën e kaluar, pasi kaloi një periudhë të shkurtër të rezultateve të dobëta në Bundesligë, pas mbrojtjes së titullit në mars. Effenberg beson se loja me pasime e Bayernit nuk ishte efektive në Bernabeu dhe beson se futbollistët kryesorë të ekipit nuk janë duke u paraqitur sikurse edicionin e kaluar.

“Bayern fiton 90 përqind të ndeshjeve të tyre. Në Bundesligë, ata demoralizojnë kundërshtarët me posedim të vazhdueshëm. Në nivel më të lartë, është një ndeshje tjetër. Ekipe si Manchester United, Real Madrid ose ndoshta Chelsea, mbrohen shumë mirë”, deklaroi Effenberg, analist i Sky.

“Ata mund të bllokojnë një sulm me dy ose tre hapa. Për të reaguar ndaj kësaj idetë e juaja të futbollit duhet të ndryshojë. Sistemi i Guardiolës e arriti kufirin në Madrid”, shtoi ai.

“Disa thonë se është monoton, disa të tjerë e konsiderojnë statik. Për më tepër, Ribery nuk është në formë të njëjtë me vitin e kaluar. Loja e Bayernit ka stagnuar për shkak të krizës së tij”.