Edukimi Medial do të jetë pjesë e lëndëve mësimore nga viti 2016-2017

Edukimi Medial do të jetë lëndë e re për të gjithë nxënësit që ndjekin mësimet në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë. Kjo lëndë, në bazë të kurrikulës së re të vitit 2016-2017 për arsimin parauniversitar në Kosovë, pritet të hyjë si lëndë zgjedhore.

Lajme

27/02/2016 16:36

Nga njohës të fushës së gazetarisë kjo lëndë po vlerësohet si e nevojshme për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, kjo pasi që Edukimi Medial, sipas tyre, do t’i rris kompetencat e fëmijëve në raport me mediat dhe në mënyrën e përdorimin të internetit dhe komunikimit në rrjetet sociale.

Profesori i lëndës bazë “Hyrje në Gazetari” në departamentin e Gazetarisë, Milazim Krasniqi tha se kjo lëndë duhet të jetë pjesë e kurrikulave të arsimit në Kosovë. Me këtë lëndë, sipas Krasniqit nxënësit vetëm sa marrin anë pozitive në raport me komunikimin medial dhe atë social.

Lënda Edukim Medial do t’u ndihmojë nxënësve që të mësojnë më shumë për punën dhe rolin e mediave duke marrë njohuri të cilat parandalojnë manipulimet dhe propagandat të cilat shpërndahen përmes medieve tradicionale dhe atyre sociale. Kështu tha profesoresha e lëndës Edukim Medial e cila aktualisht ligjërohet në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Udhëheqësi i divizionit për Planë Programe dhe Tekste Shkollore në ministrinë e Arsimit, Rexhep Kastrati tha për KosovaPress se kjo lëndë do të futet në shkolla si lëndë zgjedhore me planë program të vitit 2016-2017. Edhe pse e një rëndësie të veçantë, Kastrati tha se kjo do të varet nga shkollat a do ta përzgjedhin apo jo.

Studentja e masterit në Fakultetin e Gazetarisë në UP, Rona Sefedini, ligjërimin e kësaj lënde në shkolla e sheh si ndihmesë për nxënësit si dhe mundësi të mirë punësimi për të diplomuarit në këtë fakultet.

Lëndë të tilla për përgatitjen e nxënësve lidhur me mediat në rajon dhe në Evropë, kanë hyrë në kurrikulat e arsimit tash e shumë vite më parë. Kjo pasi që shpesh fëmijë dhe nxënës të pa ditur në aspektin medial, kanë pranuar informata të cilat cilësohen si propagandë e keqe dhe jo e drejtë mediale apo e rrjeteve sociale.

Hyrja e Edukimit Medial do të ndihmonte që nxënësit që ndjekin shkollimin parauniversitarë të përgatiten edhe në aspektin e komunikimit dhe kontaktit me të tjerët, masën, kjo pasi në shumë vende në botë ndikimi i teknologjive të reja ka bërë që fëmijët/të rinjtë të jenë më të izoluar ndaj realitetit./lajmi.net