Edita thotë që Brukseli ka garantuar heqjen e barrikadave

Zëvendëskryeministrja Tahiri thotë se trysnia që ajo ka bërë ndaj Brukselit, ka bërë që serbët të fillojnë të heqin njërën prej barrikadave të vendosura mbi lumin Ibër.

Lajme

09/07/2014 21:54

Në një deklaratë për KosovaPress, zëvendëskryeministrja në detyrë ka thënë se pas kërkesës së Qeverisë së Kosovës ndaj Bashkimit Evropian, për një angazhim më të madh në këtë çështje, ajo ka marrë garanci se ura mbi lumin Ibër do të lirohet e tëra.

“Në vizitën time në Bruksel, javën e kaluar, mora garanci se ura do të lirohet, dhe si rezultat i angazhimit të saj, Serbia ka hequr njërën nga barrikadat, atë të luleve, ndërsa në fazat në vijim, me një bashkëpunim me BE-në, do të hiqen të gjitha pengesat nga ura dhe ura do të lirohet për lëvizjen e lirë, ashtu siç e thotë edhe marrëveshja e arritur me Brukselin”.

Heqja e kësaj barrikade, që ka ndodhur sot, për zëvendëskryeministren Tahiri është një hap pozitiv në drejtim të krijimit të kushteve për lirinë e lëvizjes dhe, sipas saj, kjo hap rrugë për funskionalizimin e urës për lëvizjen e plotë të lirë sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve evropiane.

E përmes një procesi, së bashku me BE-në, Tahiri ka ritheksuar se barrikadat në urën e lumit Ibër do të hiqen të gjitha dhe se pas kësaj do të bëhet edhe rivitalizimi i urës.

Por, ku në njërën anë po hiqej kjo barrikadë, në anën tjetër serbët kanë nisur ndërtimin e sheshit “Car Llazari”, shëtitore kjo e nisur në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër.

Tahiri, thotë se edhe ky shesh do të trajtohet sipas ligjeve të Kosovës.

“Asnjë veprim apo projekt ndërtimor, me çfarëdo emri qoftë, nuk mund të bëhet nga qeverisja komunale pa u respektuar procedurat ligjore dhe miratimet, përfshirë atë nga MMPH-ja. Tani do të presim zhvillimet dhe në bazë të tyre edhe masat”, ka thënë Tahiri për KosovaPress.