Edita Tahiri: Serbia po kërkon pajtim pa kërkim-falje

Ministrja në detyrë për Dialog, Edita Tahiri, tha sot se dyshon në seriozitetin e inciativës së Presidentit të Serbisë për një dialog të brendshëm serb për Kosovën.

Lajme

21/08/2017 16:58

Në ditët kur iniciativa e Aleksandar Vuçiq është bërë temë kryesore e politikës serbe, Tahiri tha për KALLXO.com se ka parë mangësi që në fillim të rrugës.

“Ajo që po shoh unë nga ky debat i deritashëm, as Presidenti i Serbisë, as ministri i jashtëm e faktorë të tjerë qeveritarë nuk po e përmendin luftën, gjenocidin e kërkim-faljen”, tha Tahiri e cila që nga viti 2011 e drejton delegacionin e Kosovës në bisedimet teknike për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian.

“Po mundohen t’i shohin marrëdhëniet Kosovë- Serbi jashtë kontekstit të luftës gjenocidale të Serbisë në Kosovë. Nëse nuk e marrin parasysh këtë faktor, ata nuk janë në gjendje të zhvillojnë dialog brenda Serbisë që çon te zgjidhja e përhershme dhe që është zgjidhje për ardhmërinë e gjeneratave të reja”, shtoi ajo.

Sipas Tahirit, kjo ide e cila për të më shumë është përpjekje e Serbisë për ta krijuar një imazh të ri në botë, por bëhet në kohën kur shteti fqinj verior i Kosovës ka paralajmëruar se do të pranojë furnizime me armatim nga aleati i saj kryesor politik, Rusia.

Kjo është shqetësuese për Edita Tahirin.

“Serbia për veshët e perëndimit lanson gatishmëri për dialog e paqe e fqinjësi me Kosovën, e në anën tjetër armatoset nga Rusia. Kjo është brengosëse jo vetëm për Kosovën dhe rajonin por sidomos është mesazh për faktorin euro-atlantik që me një Serbi që armatoset nga Rusia dhe me një fjalor luftënxitës siç e bën Daçiqi, nuk mund është Serbi që mund të kontribuojë për fqinjësi e paqe”, tha ajo.