Edi s’ka nevojë të ndërhyjë

Isa Mustafa reagon ndaj vizitës së dytë të paralajmëruar të Kryeministrit Edi Rama në Prizren. Ai vjen për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Shipërisë dhe Kosovës, më 16 nëntor. Por, Mustafa thotë se Rama s'ka nevojë që të ndërhyjë në fushatën zgjedhore.

Lajme

10/11/2013 08:48

Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafës, po i duken të sinkronizuara vizitat e Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Prizren, të cilat po realizohen dy herë në prag të votimeve për Kryetar të këtij qyteti.

Lideri i LDK’së, në një postim në Facebook, ka thënë se Kryeministri Rama do të ishte mirë që ta respekojë fushatën zgjedhore në Kosovë, ashtu siç liderët kosovarë respektuan fushatën zgjedhore në Shqipëri.

Reagimi i Isa Mustafës vjen pas zyrtarizimit të datës për mbledhjen e parë të përbashkët të Qeverisë së Kosovsë dhe asaj të Shqipërisë, e cila do të mbahet më datën 16 nëntor në Prizren.

“Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, përmes postimit në rrjetin social ‘Facebook’ zbuloi se mbledhja e përbashkët e dy Qeverive Shqipëri- Kosovë do të mbahet më 16 nëntor në Prizren. Në Prizren, në këtë kohë po zhvillohen aktivitete para balotazhit ndërmjet Kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës”.

“Në kontinuitet, vërehet se z. Thaçi ka nevojë të ndërhyjë në aktivitetin zgjedhor të Prizrenit me Kryeministra të vendeve fqinje ose të vendeve të tjera”.

“Gjatë aktivitetit parazgjedhor, z. Thaçi organizoi një tubim të madh në Prizren me Kryeministrin e Shqipërisë dhe atë të Turqisë. Ndërkaq, në ndihmë i erdhi edhe Kryeministri i Serbisë me vizitën e tij serbëve të Kosovës”.

Isa Mustafa thotë se Edi Rama nuk ka nevojë të ndërhyjë në fushatën zgjedhore në Kosovë.

“Nëse z. Thaçi ka nevojë që nëpërmjet ndërhyrjeve të tilla t’i krijojë avantazhe partisë së tij dhe Kandidatit të tij për Kryetar të Komunës së Prizrenit, konsideroj se këtë nevojë nuk e ka z. Rama”.

“Ne jemi dy shtete. Kemi respektuar fushatën zgjedhore në Shqipëri, prandaj edhe Qeveria e Shqipërisë do të ishte mirë ta respektojë fushatën zgjedhore në Kosovë”.

“Konsideroj se kultivimi i respektit reciprok është i shëndetshëm për marrëdhëniet afatgjata ndërmjet Qeverive të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë”.