Edi Rama në çarkun e nacionalizmit

Vërshimi i deklaratave të fqinjëve që e fshikullojnë kryeministrin shqiptar si një nacionalist mund kthehet në një shqetësim jo vetëm për karierën e atij vetë, por edhe për të gjithë vendin.

Opinion

24/05/2015 00:49

Tashmë në arkivat diplomatike janë të ruajtura thirrjet për bashkim klasik të shqiptarëve, shfaqja e flamurit të Shqipërisë etnike në muret e selisë së tij,  barriera e Maqedonisë për në NATO, “ngatëresa” me fjalët e ministrit të jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier etj (shiko Lapsi.al/lajme).

Të gjitha këto si edhe problemet e hapura me fqinjin tonë jugor për kufirin detar, po krijojnë jashtë idenë se Shqipëria po drejtohet nga një lider nacionalist, i cili nga një faktor stabiliteti mund të shndërrohet në një rrezik për rajonin. Le të jemi të drejtë. As deklaratat e nënpunësve të një diktatori liliput si Gruevski, as ato të ish birit shpirtërot të Sheshelit dhe as erërat e së vjetrës që ndjekin si hije nga pas qeverinë e Tsiprasit, nuk janë një kriter i së vërtetës. Por kur ato bëhen të gjitha bashkë përbëjnë një problem. Jo vetëm sepse ato, ashtu sikurse e akuzon sot opozita, kanë zhbërë premtimin për “zero probleme me fqinjët”, por mbi të gjitha sepse ato rrezikojnë të pikturojnë portretin e padrejtë të një lideri nacionalist.

Po a është vërtet Rama i tillë?

Përcaktimin më të saktë për sjelljen e tij diplomatike duket se ka bërë Fatos Lubonja kur flet për gjuhën e “dyfishtë të kryeministrit”. Këtij përcaktimi nëse do të çohej në skaj, mund ti shtohej edhe ai i “personalitetit të dyshishte” që po krijon ai jo vetëm me fjalorin, por edhe me sjelljen e tij.

Nga njëra anë Rama do të mbajtë një nga flamujt që e ka tundur me krenari që në kohët e hershme të rinisë së tij ekstravagante: atë të kozmopolitit. Ai është sjellë si i tillë edhe në politikë. Mjafton të përmendet çelësi i qytetit që ai i’a dha pa drojë muzikatit Goran Bregoviç, kur qe kryebashkiak i Tiranës. Mjafton të kujtohet se si ai e mbronte me zell këtë akt provokativ duke këmbëngulur në bindjen e tij prej artisti të hapur. Të njëjtën gjë ai ka treguar edhe në bisedat me perendimorët e veçanërisht me kancelaren Merkel duke parë tek projektet e përbashkëta të zhvillimit, të vetmen shpresë për shpëtim të fuçisë së vjetër të barotit. Madje duhet thënë se i tillë u shfaq edhe përballë Aleksandër Vuçiçit në Beograd, ku u bë në një farë mënyre zëdhënësi i një Shqipërie të hapur dhe kozmopolite, përballë fantazmave të një Ballkani të vjetër.

Por sipas të gjitha gjasave, pikërisht vizita e vjeshtës së shkuar në Beograd, e ka lëkundur bindjen e Ramës se shtirja si kozmopolit që një kartë e mirë politike. Pritja që i bënë në Preshevë, flamujt përgjatë rrugës së kthimit në Kosovë, deklaratat e politikanëve jashtë kufijve ndoshta i përkëdhelën sedrën dhe ngacmuan një nga pikat më të dobta të tij: kompleksin për të qenë i dashuruar.

Që prej asaj kohe Rama kozmopolit filloi të bashkëjetojë me Ramën patriot. Pikërisht me atë që kërkon të sillet si babai i politikanëve shqiptarë në Maqedoni dhe që përpiqet të sjellë eshtrat e Boletinit në Vlorë dhe që është indiferent për daljen e “grekëve” nga koalicioni qeveritar.

Por siç tregojnë faktet një mishelë e tillë është e pamundur. Lumi i reagimeve të ashpra të fqinjëve po tregon se kjo dykuptimësi, kjo lojë e dyfishtë mund të keqkuptohet shumë shpejt. Për të fshehur problemet e tyre, për të fituar pikë në mjediset përkatëse, ata mund ta fusin Ramën, shpesh naiv dhe me një dëshirë të papërballueshme protagonizmi në një kurth, që shumë pak i ngjan të vërtetës. Ata mund ta shfrytëzojnë dilemën e tij mes kozmopolitit dhe nacionalistit në dëm të tij vetë dhe mbi të gjitha të shqiptarëve. Pikërisht për këtë kryeministri shqiptar nuk e la luksin për të gabuar më. Ai e ka mbushur kupën. Prandaj kujdesi maksimal duhet të jetë shqetësimi i tij i vërtetë për sfidën e radhës: pritjen e homologut të tij serb në 27 maj në Tiranë.

(lapsi.al)