Edi Rama i jep drejtësisë “kokën” e Tahirit

"Nuk do të falet dhe tolerohet askush" paralajmëron kryeministri Edi Rama duke ju referuar skandalit që ka shpërthyer pas arrestimit të kapos shqiptarë të trafikut ndërkombëtar të drogës, kushëri me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Lajme

17/10/2017 15:45

Edhe pse shpreh miqësinë që ka pasur me të, Rama thotë se shqiptarët meritojnë të dinë të vërtetën dhe për këtë kërkon hetimin deri në fund të kësaj historie.

Mediat italiane kanë nxjerrë përgjimet këtë të hënë ku banda e drogës, dhe vetë Habilaj i afërm me Tahirin përmend në biseda brenda bandës se duhet t’i japë 30 mijë euro Tahirit, e kjo për mbështetjen që ka pasur prej tij për të vepruar lehtësisht në trafikun e marijuanës nga Shqipëria në Itali.

“DUAM TË VËRTETËN! SA MË PARË!

Është e neveritshme dhe shokuese çka ka dalë prej bisedave të dy kriminelëve!

Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet.

Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.

Vetë qeveria e re është krijuar për të mos falur e as toleruar këdoqoftë, që zgjedh rrugën e krimit në vend të rrugës së Shqipërisë që duam – Me shtet, punë, mirëqenie.

Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë. Deri në fund!”, shkruan Rama në Facebook.