Edi Rama flet për sigurinë në plazhet e Shqipërisë

Rritja e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri gjate këtij viti është një fakt i pakontestueshëm, po aq sa është edhe rrezikshmëria për jetën e pushuesve në brigjet e vendit tonë, prej mungesës së kushteve elementare të sigurisë.

Lajme

15/07/2018 12:28

Vetëm të shtunën e kaluar në plazhet tona humbën jetën tre persona dhe bilanci është i rëndë, nëse përfshijmë edhe numrin e atyre që janë mbytur në det që nga nisja e sezonit turistik në muajin maj, dhe kjo ndodh sepse bizneset që operojnë në plazhet shqiptare, në shkelje flagrante të ligjit për turizmin nuk ofrojnë kushte sigurie.

Si në bregdetin jonian, edhe në atë të Adriatikut nuk ka kulla vrojtimi, sikurse nuk ka sinjalistikë apo flamuj, ngjyrat e të cilëve tregojnë për kushtet e motit dhe të detit, siç ndodh jashtë. Në det nuk ka bova, që të tregojnë se deri ku mund të notohet.

Në asnjë stacion plazhi nuk ka tabela ku të afishohen numrat e emergjencës, ashtu sikurse nuk ka një zonë të veçantë për ofrimin e ndihmës së shpejtë. Pavarësisht se ka kulla vrojtuese në disa prej plazheve, aty mungojnë vrojtuesit e trajnuar për të shpëtuar pushuesit në rast rreziku nga mbytja.

Por nuk është i këtij mendimi kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në Facebook tregon se e sheh situatën krejt ndryshe nga ç’ofron realiteti në plazhet e vendit.

“Për herë të parë ka një infrastrukturë kullash vrojtimi në funksion të sigurisë së pushuesve nga Velipoja në Sarandë”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson se kjo infranstrukturë është “ende jo perfekte dhe ka boshllëqe, por është si dita me natën me vitet e shkuara dhe në përmirësim ditë pas dite”.

Sa i përket mungesës së vrojtuesve kreu i ekzekutivit zgjedh të luajë edhe njëherë lojën “hidh e prit” me pushtetin vendor, që e fajëson për dobësi të mëdha në këtë drejtim.

“Ky aspekt është detyrë ligjore e funksion i bashkive”, thekson Rama.

“Sidoqoftë asnjë justifikim dhe bashkëpunimi me bashkitë për të garantuar një sezon të pastër e të sigurtë po forcohet dita-ditës në terren”, shton më tej kryeministri në postimin që e shoqëron me foto nga kullat e vrojtimit në disa plazhe të Shqipërisë.