Edhe xhamitë do të legalizohen, BIK flet për nevojën e tyre në çdo lagje

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, dhe myftiu Naim Tërnava kanë folur sot për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe zgjidhjen e çështjeve që ndërlidhen mes dy institucioneve.

Lajme

11/02/2015 18:23

Agani e njoftoi të parin e BIK-ut me prioritetet e kësaj ministrie, me theks të veçantë në procesin e legalizimit, të cilit proces do t’i nënshtrohen edhe objektet fetare, gjithmonë në harmoni të plotë me Ligjin për Legalizim.

Tërnava adresoi disa çështje që ndërlidhen me interesin e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke vënë në prioritet inicimin e Ligjit për Bashkësi Fetare, ngase konsideron se mungesa e një ligji të tillë po e vështirëson funksionimin e mirëfilltë të bashkësive fetare në vend.

Edhe ministri Agani tha se është i domosdoshëm miratimi i këtij ligji, duke potencuar se në cilësinë e kryesuesit do ta adresojë këtë kërkesë edhe tek Këshilli për Zbatim dhe Monitorim.

Po ashtu, në këtë takim u potencua nevoja që në planin rregullativ të implementohen normat dhe standardet evropiane, në mënyrë që në çdo lagje të parashihet edhe ndërtimi i objekteve fetare, si një e drejtë themelore dhe e pamohueshme e çdo besimtari që dëshiron t’i kryejë ritet fetare në lagjen ku jeton dhe vepron.

Ministri Agani deklaroi se Ministria e Mjedisit do t’i kryejë të gjitha obligimet që parashihen me ligj në mënyrë që të jetë në shërbim të çdo qytetari dhe komuniteti në vend, pa dallim feje apo kombi.