lajmi.net

Edhe tri javë pas sulmit ndaj Agron Mustafës inspektorati s’merr masa

Janë bërë pothuajse tri javë që kur ka ndodhur rasti i sulmit ndaj drejtorit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

Lajme

18/01/2018 20:36

Mustafa siç edhe shihej nga pamjet e publikuara menjëherë në media u sulmua nga polici i njohur si Tarkani  (Avni Berisha) duke  u ndihmuar nga Nazim Sahiti, drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsionit.

Mustafa pati marrë edhe lëndime trupore, mirëpo ironikisht gjatë marrjes në pyetje në Stacion të Policisë, statusi i tij nga viktima u shndërrua në atë të të dyshuarit.

Mustafa, rikujton:

“Unë e paraqita rastin në polici. Duket se është normale se pasi që e paraqet rastin në polici, në këtë rast sulmin ndaj meje, fillova të intervistohem dhe të jap një deklaratë në cilësinë e viktimës. Mirëpo, pas disa orësh, nga raportuesi i rastit nga i lënduari më ndërrohet statusi, shndërrohem në cilësinë e të dyshuarit… “.

Mustafa potencon se policët që e sulmuan kanë deklaruar rrejshëm se e gjitha atë ditë ndodhi pasi ata tentuan ta arrestojnë.

“Sipas deklaratës së tyre pas tentimit të arrestimit unë kam ikur dhe nuk kanë arritur të më arrestojnë. Mirëpo, fatmirësisht këtu doli se ekzistojnë videoinçizimet dhe këto e demantojnë dhe e thonë të kundërtën e asaj që thonë ata në Stacionin e Policisë në Prishtinë dhe vërehet se drejtori i Telekomit, unë Agron Mustafa, jam sulmuar, jam rrahur . Në video shihet një brutalitet i ashpër dhe rrallë i parë diku, pa as edhe një tentim të arrestimit ndaj meje. Me fjalë tjera, vlerësoj dhe konsideroj se janë bërë një mori shkeljesh nga vet zyrtarët policor duke filluar nga keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe autoritetit si polic dhe duke tejkaluar autorizimet dhe kompetencat që ata i kanë se si duhet sjellë në publik”.

Inspektorati Policor i Kosovës menjëherë pas ngjarjes, njoftoi se ka suspenduar policin Avni Berisha, i cili siç shihej edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë së lokaleve përreth, kishte goditur me grushte Mustafën. Por,  dhe përkundër bërjes publike të fakteve përmes videoincizimeve ndaj njërit prej tyre ende nuk janë ndërmarrë masa ndëshkimi.

IPK-ja tash e tri javë është duke e amnistuar të përfshirin tjetër në këtë rast, Nazim Sahitin, që po ashtu kishte marr pjesë në rrahje, duke mos i shqiptuar asnjë masë disiplinore.

Kjo ka bërë që Mustafa me të drejtë të ngrisë dyshime ndaj kryeshefit të IPK-së, si njeri të afërt me Nazmi Sahitin.

Një javë pas sulmit Agron Mustafa përmes një letre i pati kërkuar Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefajt, që përmes autoritetit të tij të veproj urgjentisht mbi Inspektoratin Policor të Kosovës në parandalimin e tentim-devijimit të rastit si dhe fshehjes së fakteve relevante për rastin, pasi sipas tij ishte shumë e qartë se pse personi i dytë që asistoi direkt në sulmin fizik ndaj tij, trajtohet në cilësinë e dëshmitarit e jo si i dyshuar!

“Nuk shoh as edhe një arsye tjetër, përveç ndikimit të drejtpërdrejt të shefit të IPK-së në tentim devijimin e hetimeve dhe fshehjes së dëshmive, me të vetmin qëllim për të amnistuar njërin nga sulmuesit ndaj meje”, thuhej ndër tjerash në letrën e Mustafës drejtuar ministrit.

Gazeta Observer ka kontaktuar me Inspektoriatin Policor të Kosovës për të marrë informata se deri ku kanë vajtur hetimet dhe se a është marrë ende ndonjë vendim ndaj Sahitit. Mirëpo, gjithçka që ka të bëjë me rastin sipas Inspektoriati janë thënë në dy komunikata për media, të cilat janë lëshuar menjëherë pas rastit.

“Në të njëjtat janë përshkruar veprimet hetimore dhe masat administrative të cilat janë ndërmarrë nga hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent. Të njëjtat edhe janë publikuar në ueb faqen zyrtare të IPK-së. Për shkak të procesit hetimor nuk mund të ipen detaje të tjera shtesë lidhur me këtë rast. Në koordinim të plotë me prokurorin kompetent hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të rastit, dhe në koordinim të njëjtë do të ketë edhe informacione shtesë për mediat dhe qytetarët kur një gjë e tillë nuk do të pengojë procesin hetimor”, thuhet në përgjigjen e Inspektoriatit për Gazetën Observer.

Në anën tjetër në konferencën e fundit për media të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, ky i fundit është treguar tejet indiferent ndaj sulmit.

“ Deri diku e kuptoj drejtorin e policisë, me thënë të drejtën e kam mik të mirë dhe e kam përcjellë deklaratën e tij dhe të gjithë përgjegjësinë e hudhë në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe potencon faktin se Inspektorati është duke u marrë me rastin …”, thekson Mustafa duke bërë të ditur edhe se ditën kritike pas shkuarjes në Stacion të Policisë, Shpend Maxhunit i ka dërguar një mesazh për shkak të korrektësisë dhe profilit të lartë të rastit, në këtë rast si drejtor i Telekomit duke e njoftuar se është sulmuar nga dy personat, por se nuk ka patur ndonjë përgjigje nga ai./Gazeta Observer

LM