Edhe transporti ajror pritet të futet në agjendën e dialogut të Brukselit

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, ka pritur sot në takim Ambasadoren e Francës në Kosovë, Maryse Daviet, ku u diskutua për mundësinë e përfshirjes në agjendën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, çështja e transportit ajror.

Lajme

15/01/2015 14:49

Ministrja Tahiri konfirmoi se tashmë është arritur një pajtim në parim në Bruksel, që çështja e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e transportit ajror mes Kosovës dhe Serbisë të vihet në agjendën e dialogut të Brukselit, pajtim i arritur në takimin e mbajtur në raundin e nëntorit 2014.

Tahiri shprehu bindjen se ky pajtim do të konfirmohet edhe në takimin e nivelit të Kryeministrave dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së, Frederica Mogherini, i paraparë të mbahet në fillim të muajit shkurt.

Në takimin në mes Tahirit dhe Daviet u vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes Kosovës dhe Francës dhe u shpreh përkushtimi i përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në fushat e interesit të ndërsjellë.

Me këtë rast, ministrja Tahiri shprehu përkrahjen dhe solidaritetin me popullin francez me rastin e ngjarjes tragjike në Paris të shkaktuar nga një sulm terrorist, duke thënë se Kosova do të jetë përherë së bashku me Francën dhe aleaten euro-atlantikë për të luftuar të keqen dhe keqbërësit.

Në këtë takim gjithashtu kanë qenë të pranishëm Kryeshefin Ekzekutiv në Aeroportin “Adem Jashari”, Roger Forneris, dhe drejtor i Përgjithshëm i Aeroportit, Haldun Kokturk. Po ashtu, në takim ishin të pranishëm edhe Arjeta Rexhaj, këshilltare Politike e Ministres së Dialogut dhe Driton Gjonbalaj, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.