Edhe një padi për Lutfi Hazirin

Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka paralajmëruar për ngritjen të edhe një padie ndaj Kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri. Pas asaj për manipulim me tenderë, padia tjetër ka të bëjë me dhënien në mënyrë të pa ligjshme në shfrytëzim të një hapësire publike.

Lajme

26/07/2014 15:15

Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka paralajmëruar se do të ngritë padi tjetër ndaj kryetarit të  kësaj komune Lutfi Haziri, e cila ka të bëjë për dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike, të destinuar për parkingjet komunale, ka thënë në një konferencë për medie Riad Rashiti, asamblistit i PDK-së në Gjilan.

Rashiti tha se për këtë ankand publik për parkingjet komunale, nuk janë zhvilluar procedurat ligjore sipas kushteve dhe kritereve të cilat i përcakton ligji për dhënien në shfrytëzim të pronës publike.

“Ky ankand i jashtëligjshëm dhe jotransparent, ka rrjedhur edhe si pasojë e një vendimi të Kuvendit Komunal, i cili është miratuar me shumë anashkalime ligjore. Fatkeqësisht ekzekutivi i komunës së Gjilanit, po arrin që edhe shumë propozime tjera të rëndësishme, në mënyrë të mjegulluara t`i kalojë nëpër seancat e Kuvendit Komunal. Ka disa propozime të cilat janë votuar nga Këshilltarët komunal të koalicionit, pa e ditur fare se për çfarë po votojnë, por vetëm kanë ngritur duart lart, dhe kjo gjë është vërtet shqetësuese dhe alarmuese”.

“Nuk është bërë shpallja e ankandit publik ashtu siç është e përcaktuar në ligjin e dhënies në shfrytëzim të pronës publike, nuk ka përcaktuar kriteret e qarta të tenderimit, nuk ka miratuar çmimin fillestar të dhënies në shfrytëzim të parkingjeve dhe ka dhënë kontratë me çmim jashtëzakonisht të ulët për vetëm 51 mijë euro për të gjitha hapësirat e dhëna për parkingjet e komunës” ka sqaruar Rashiti.

“Ndërsa për prokurorinë themelore, ne si grup i Këshilltarëve Komunal të PDK-së, kemi përgatitur edhe një dosje tjetër, për të cilën më datë 29 korrik 2014, do ta dorëzojmë në prokurori dhe do të kërkojmë zyrtarisht fillimin e hetimeve ndaj përgjegjësve kryesorë të këtij rasti, e që për ne është i pari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri”,.

Ai po ashtu ka thënë se nga data 20 korrik,kompani ka filluar të inkasojë mjete në formë të jashtëligjshme nga qytetarët e Gjilanit, sepse ende nuk ka kontratë të nënshkruar me komunën e Gjilanit

“Keqpërdorimet e këtij ankandi kanë filluar qysh tani, ende pa u nënshkruar kontrata në mes komunës së Gjilanit dhe operatorit ekonomik “BEZI” të cilës i është dhënë tenderi i këtij ankandi publik”, ka thënë Rashiti, transmeton rajonipress.

PDK, në Gjilan kishte dërguar në prokurori kishte dërguar më parë tri lëndë të tjera , për tu hetuar keqpërdorimet me tenderët e komunës.