Edhe një ditë afat për partitë që të certifikohen për zgjedhjet lokale

Partitë politike kanë afat vetëm deri nesër në orën 00:00 që të regjistrohen në mënyrë që tu mundësohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.

Lajme

21/08/2017 15:21

 

Të gjitha subjektet, iniciativat apo edhe kandidatët e pavarur duhet të dërgojnë listën me emra në Komisionin Qendror Zgjedhor i cili më pas do të bëj verifikimin e tyre.

Deri në orën 11 për certifikim për zgjedhjet lokale kanë aplikuar 17 subjekte politike. Prej tyre 5 janë Iniciativa Qytetare dhe 5 kandidatë të pavarur për kryetar komune dhe 7 kandidatë të pavarur për Kuvende Komunale.

Nëse emrat e kandidatëve për kryetarë dhe asambleistë nuk dorëzohen deri nesër, atëherë partitë nuk do të mund të marrin pjesë në zgjedhjet lokale.

Por që tu lejohet pjesëmarrja në zgjedhjet e 22 tetorit, duhet paguar edhe gjobat që partitë i kanë në PZAP për shkeljet që i kanë bërë gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, të mbajtura më 11 qershor.

Ditë më parë nga PZAP kishin bërë të ditur se Lista Serbe ka paguar të gjitha borgjet, kurse një pjesë të obligimeve i ka kryer edhe koalicioni PAN.

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, dhe LDK-ja kanë zyrtarizuar shumicën e emrave që do të jenë kandidat për kryetarë të komunave.

Njejtë nuk ka ndodhur edhe me PDK-në e cila deri tash ka zyrtarizuar vetëm emrin e Zenun Pajazitit për kryetar të Gjilanit.

Çdo gjë do të qartësohet deri nesër pas mesnate. /Lajmi.net/