Edhe një bankë tjetër turke në Kosovë

Banka turke Ziraat Bankasi, e cila ka një shtrirje të madhe në Turqi, me gjithsejtë 83 pika në 16 shtete të botës, po synon edhe tregun e Kosovës.

Lajme

06/05/2014 18:36

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Ziraat Bankasi Osman Arslan ka bërë të ditur për gazetën turke Dunya se po i shohin mundësitë e investimeve në shtatë vende të ndryshme, që përfshijnë tri kontinente. 

Në mesin e këtyre vendeve, është edhe Kosova dhe Mali i Zi. Ai ka thënë se në strategjinë e tyre të investimit, merret parasysh edhe lidhja kulturore dhe historike e Turqisë me vendin ku planifikojnë të investojnë. 

Ai më tej ka shtuar se në këtë kuptim, Ballkani është një rajon ku Ziraat Bankasi, planifikon të jetë më aktiv. \”Ne tani kemi një bankë në Bosnje dhe Herzegovinë\”. 

 \”Ne me degët tona shërbejmë në Greqinë dhe Bullgari. Bordi ekzekutiv ka vendosur për të filluar operimet bankare në Kosovë dhe Mal të Zi. Në Kosovë do të operojmë me statusin e degës dhe në Mal të Zi me status të bankës”, ka thënë Arslan. 

Turqia është investitori më i madh i huaj në Kosovë. Kompanitë nga ky vend kanë privatizuar Aeroportin “Adem Jashari” dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike “KEDS”. 

Ndërsa, sa i përket tregut bankar, nga pesë banka të huaja sa operojnë aktualisht në Kosovë, tri të tilla janë nga Turqia, TEB Bank, Banka Kombëtare dhe Is Bank.