Edhe në balotazh shumë vota të pavlefshme, kryeson Prishtina

Numri i madh i votave të pavlefshme po e përcjellë Kosovën tash e disa kohë nëpër zgjedhje. Njejtë ka ndodhur edhe në balotazhin që është zhvilluar të dielën.

Lajme

21/11/2017 18:08

Vetëm në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës, numri i votave të pavlefshme kalon mbi 9 mijë.

Numri më i madh i tyre është dukshëm në Prishtinë, shkruan lajmi.net

Sipas të dhënave në faqen e KQZ-së me daljen në zgjedhje dhe votat e vlefshme, del se në kryeqytet ka pasur 2 mijë e 300 vota të pavlefshme.

Numrin e madh të tyre e ka përmendur edhe Ismet Beqiri në konferencën e LDK-së, ku theksoi se kjo është për tu çuditur pasi mënyra e votimit ka qenë e thjeshtë.

Ai ka bërë të ditur se një numër i këtyre votave kanë qenë të zbrazura, duke mos pasur asnjë shenjë në fletëvotim.

Pas Prishtinës, me numrin më të madh të votave të pavlefshme vjen Ferizaji.

Në qytetin ku zgjedhjet i fitoi Agim Aliu, kanë qenë 1 mijë e 844 vota të cilat nuk kanë shkuar për asnjërin kandidat.

Në Prizren, edhe pse dalja e vogël një numër i votave kanë shkuar dëm.

Mbi 1 mijë e 400 të tilla kanë qenë të pavlefshme.

1 mijë e 94 vota të pavlefshme kanë qenë në Mitrovicë, kurse 1 mijë e 61 në qytetin e Gjakovës ku triumfoi, Ardian Gjini.

Në mesin e qyteteve më të mëdha, në Gjilan dhe Podujevë ka pasur më pak vota të pavlefshme.

Në Gjilan kanë qenë 794 vota të tilla, kurse në Podujevë vetëm 462.

Dy qytete këto të cilat bindshëm i fituan kandidat e LDK-së. Lutfi Haziri përkatësisht Agim Veliu.

Numër të madh të votave të pavlefshme ka pasur edhe në komuna tjera,gjë që e kritikoi shefi i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Ajoze Peterle.

Ndryshe, këto zgjedhje kanë prodhuar rezultate dramatike.

Në Prishtinë, Prizren e Dragash fituesi do të vendoset tek pas numërimit të votave me kusht. /Lajmi.net/