Edhe marinsa kundër ISIS-it

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar 130 këshilltarë ushtarakë në rajonin kurd të Irakut të veriut, ka bërë të ditur Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ndërkohë që qeveria amerikane po përgatitë masa të tjera për të parandaluar aktet e mundshme gjenocidale nga i ashtuquajturi Shteti Islamik, i shpallur muajin e kaluar nga organizata terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS).

Bota

13/08/2014 17:22

Marinsat amerikanë të specializuar për operacione speciale do të vlerësojë situatën humanitare në Irakun verior dhe nuk do të jenë të angazhuar në luftime, ka thënë Sekretari i Mbrojtjes, duke përseritur se Shtetet e Bashkuara po i ndihmojnë kurdët dhe popullatën e rrezikuar të Irakut me sulme ajrore kundër caqeve të luftëtarëve të grupit militant të “Shteti Islamik”.

Që prej dy muajsh, ISIS ka vënë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të Sirisë dhe Irakut, duke vrarë rreth pesë mijë muslimanë (të sekteve të ndryshme) dhe të krishterë, si dhe duke i detyruar dhjetëra mijëra të braktisin shtëpitë e tyre.

Bashkë me marinsat amerikanë, ka edhe ekspertë të tjerë të fushave të ndryshme, që në total janë rreth 250 veta, tashmë të vendosur në Irak.

Ndsërkohë një zyrtar i Mbrojtjes i SHBA-ve, ka deklaruar se qeveria amerikane do të vazhdojë të eksplorojë mënyra për të mbështetur irakianët të prekur nga luftimet e vazhdueshme në Sinjar dhe më gjerë, me qëllim që të parandalojë aktet e mundshme të gjenocidit nga organizata terroriste ISIS, raporton BBC.

Sipas OKB-së, dhjetëra mijëra civilëve irakinaë, duke përfshirë edhe anëtarët e sektit Yazidi, janë bllokuar në malet afër Sinjarit nga luftëtarët e ISIS-it, dhe se u duhet ndihmë për të shpëtuar jetët.

Forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara, të cilave u janë bashkëngjitur edhe ato britanike e franceze, kaun lëshuar të martën rreth 100 mijë racione ushqim dhe 120 mijë litra ujë të pijshëm, ndërkohë që është njoftuar se ndihma po vazhdon edhe të mërkurën.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë vazhduar të lëshojnë armatim nga ajri për luftëtarët kurdë, të cilët vazhdojnë të mbrohen nga militantët e ISIS-it, që po përpiqen të shtrijnë kontrollin deri në Bagdad.