Edhe Kosova e rrezikuar nga tërmetet

Kohëve të fundit rajoni i Ballkanit është goditur nga një sërë tërmetesh, sidomos në shtetin fqinjë, Shqipëria, duke e radhitur edhe territorin e Kosovës pjesë e rajonit aktiv sizmik.

Lajme

18/07/2018 15:47

Tërmeti i fundit që ka lëkundur vendin tonë ka qenë në janar të këtij viti, me epiqendër në Mal të Zi.

Kreu i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa, tha për Kallxo.com se në Kosovë nuk priten tërmete katastrofike, sipas hartës se rrezikut sizmik për një periudhë kthyese 50 vite mund të ndodh një tërmet me magnitud deri 6.0 të riterit.

“Territori i Kosovës në aspektin sizmotektonik përfaqëson një terren aktiv, të dhënat për tërmetet nga e kaluara dëshmojnë qartë se dukuria e tërmeteve të forta në disa pjesë të territorit të Kosovës ka qenë evidente shumë herët dhe në bazë të këtyre ngjarjeve sizmike në të kaluarën, Kosova zë vend në zonën me aktivitet sizmik”, tha Mustafa.

Ai gjithashtu ka renditur tërmetet më të fuqishëm që kanë goditur Kosovën, duke siguruar njëherësh që vendi gjithsesi nuk kërcënohet prej tyre deri në faza tragjedie.

“Gjatë periudhës pas viteve 2000, Kosovën e kanë goditur tre tërmete të fuqishme të mëdha. Në qytetin e Gjilanit në vitin 2002 me intensitet në epiqendër 8 ballë. Tërmeti i Istogut, i vitit 2010 me intensitet në epiqendër 7 ballë dhe i fundit, Tërmeti i Vushtrrisë në vitin 2013”, tha kreu i rrjetit sizmologjik.

Megjithatë, sipas tij, bazuar në hartën e rrezikut sizmik për Kosovë, që jep disa të dhëna për tërmetet për periudha kthyese, pra në Kosovë nuk priten tërmete katastrofike.

“Sipas hartës se rrezikut sizmik për një periudhë kthyese 50 vite mund të ndodh një tërmet me magnitudë deri 6.0 shkallë të riterit, kurse për një periudhë kthyese 100 vite mund të ndodh një termet me magnitudë deri 6.1-6.5 shkallë të riterit, kështu që në këtë fuqi të këtij lloji të tërmetit e quajmë si tërmet i fuqishëm”, ka shtuar më tej Mustafa.

Zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Kosovë janë: Istog-Pejë-Prizren, Ferizaj-Viti-Gjilan dhe zona e Leposaviqit.