Edhe këtë vit pa sigurime shëndetësore

Këtë vit nuk do të fillojë zbatimi i ligjit për sigurim shëndetësor, ndonëse një gjë e tillë ishte paralajmëruar.

Lajme

19/03/2015 14:00

Premtimin për hyrjen në fuqi të këtij ligji e kishte dhënë edhe ish ministri i Shëndetësisë Ferid Agani. Por, është ministri aktual, Imet Rrahmani, ai i cili i ka prerë shpresat e qytetarëve të Kosovës, të cilët, mund të jenë bërë gati që shërbimet mjekësore, t’i kenë falas gjatë këtij viti.

Në një takim me udhëheqësit e Doganës së Kosovës, ku edhe u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë, Rrahmani tha se për të hyrë në fuqi ky ligj, nevojitet formimi i fondit si dhe krijimi i një baze të mjaftueshme ligjore.

“Në vitin 2015 sigurisht se nuk do të kemi sigurime shëndetësore, për shkak se nuk mund të mbledhim premiumet ose kontributet e qytetarëve dhe të mos mund të ju ofrojmë sigurime shëndetësore”.

“Sigurimet shëndetësore janë një procedurë e rëndësishme e reformës, e cila nëse realizohet mirë do të disiplinon shumë sistemin shëndetësor”.

“Ne jemi të përkushtuar që të përgatitet e tërë baza ligjore dhe elementet që nevojiten për një sistem të mirë dhe fondi i sigurimeve shëndetësore të jetë efikas në ofrimin e shërbimeve të qytetarëve dhe për të siguruarit”, ka thënë ai.

Ministri Rrahmani, punën e tij 100 ditëshe e ka vlerësuar si të suksesshme, por ka thënë se rezultatet do të shihen së shpejti.

Duke folur për nënshkrimin e Memorandumit për bashkëpunim me Doganat e Kosovës, për lehtësimin e importit të vaksinave të domosdoshme që janë të parapara me ligj, ai ka thënë se kjo marrëveshje do të eliminojë problemet teknike dhe do sigurohet cilësia e mjaftueshme e vaksinave.

Kurse drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se më këtë procedurë thjeshtëzohet mjaftë shumë procedura e zhdoganimit të vaksinave.

“Deri më tani vaksinat kanë marrë kohë, ku në shumicën e rasteve është dashur një numër i madh i dokumentacioneve me u prezantu, vaksinat kanë qëndruar deri në një javë në aeroport. Kurse në rastin e tanishëm, të gjitha procedurat do të kryhen me rastin e arritjes së vaksinave, dhe nuk do të qëndrojnë më ne aeroport, por do të shkojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë”.

“Nga 7 ditë të qëndrimit, tash procedurat po shkurtohen në 1 deri në 2 orë”, tha Rafuna.

Këto vaksina u tha se me procedurat e kaluara kanë qëndruar në kushte jo të përshtatshme ku edhe është rrezikuar edhe cilësia e tyre.

YouTube player