Edhe Fisi bëhet deputet

Fisnik Ismajli do të jetë deputet i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës. Ai do të zëvendësojë Liburn Aliun, i cili edhe pse mori vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet nga radhët e Vetëvendosjes!, ka dhënë dorëheqje, duke vazhduar kështu punën si Drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Prishtinës.

Lajme

04/07/2014 09:39

Lajmin që Ismajli, përndryshe i njohur në Prishtinë dhe Kosovë edhe si Fisi, e ka konfirmuar për Gazetën Blic, një burim brenda Lëvizjes Vetëvendosje!.

Sipas këtij burimi, në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, në vend të Liburn Aliut, do të jetë Fisnik Ismajli.

“Liburn Aliu i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve letrën e dorëheqjes nga mandati i deputetit. Fisnik Ismajli ka qenë në listë të pritjes dhe tani ai do ta përfaqësojë Vetëvendosjen! në Kuvend”, ka treguar i njëjti burim.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje! arriti që të dalë partia e tretë, duke marrë mbi 13 për qind të votave, duke u renditur pas PDK-së me 30 për qind dhe LDK-së me 25 për qind.

Fisnik Ismajli, në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të vitit të kaluar ishte zgjedhur asambleist në Kuvendin Komunal të Prishtinës.