Edhe deputetë të pozitës kërkojnë rishikim të Demarkacionit

Komisioni për Integrime Evropiane, ka kërkuar që Komisioni Qeveritar për Demarkacionin të vjen në këtë komision për të diskutuar për Demarkacionin, para se kjo të shkojë për ratifikim në Kuvend. Xhavit Haliti anëtar i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, tha se është e nevojshme që sërish të diskutohet rreth kësaj çështje, pasi që ka ende kundërshtime dhe paqartësi.

Lajme

23/05/2016 15:07

Haliti duke folur për kushtëzimin që BE i ka bërë Kosovës për liberalizim të vizave ka thënë se në njërën anë e kemi shkopin e në anën tjetër karrotën.

“Kemi rënë në një pozitë vërtetë jo të lakmueshme sa i përket raporteve me opinionin. E dyta si vend. Me një anë e kemi shkopin, në anën tjetër karotën. Përballemi me qytetarë të cilët janë kundër jo demarkacionit, shumë herë kur po diskutohet po krijohet përshtypja se ne jemi kundër demarkacionit. Ne s’jemi kundër demarkacionit në asnjë rast dhe s’duhet të jenë as qytetarët kundër demarkacionit. Por duhet t’i informojnë në një mënyrë apo tjetër saktë, për problemet që janë lidhur me pretendimet që nuk janë të pakta të njerëzve, edhe të specialisteve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që merren me fushën e caktuar që kjo çështje të bie në vendin e vet. Nuk është mirë që qytetarët t’i lëmë në një situatë amullie dhe t’i lëmë pastaj hapësirë grupeve ekstremiste, cilit do krah që të manipulojnë pastaj nesër me idenë qoftë të tradhtisë së dikujt në raport me interesat e Kosovës, qoftë gabimeve ose kusuritjeve për interesa grupore dhe personale të territoreve që kanë të bëjnë me Kosovë”, tha Haliti.

Ndërsa i pyetur se a do ta votojë ai për Demarkacionin me Malin e Zi, siç është tani, Haliti tha se nevojitet dhe pak hapësirë kohore dhe të shteren të gjitha mundësitë, për të arritur deri tek një e vërtetë e vetme. Haliti thotë se është interes i Kosovës integrimi evropian dhe liberalizmi, por jo duke lënë situatat të paqarta të cilat në të ardhmen mund të nxisin probleme në regjione të caktuara.

“Duhet t’i pyesim qytetarët dhe njerëzit meqë është një çështje e cila e dëmton vendin, ose i ka shty kufijtë atëherë ne kemi nevojë që të kemi dhe pak hapësirë kohore për të marrë kontakt nga qytetarët për ti informuar ata dhe për të iu thënë të vërteten, se çfarë po ndodh me shënimin e kufirit sot dhe dje kur kanë vendosur të tjerët për kufirin tonë. Nuk ka diçka që ne duhet ta mbajmë sekret…Për momentin kisha thanë që duhet të shterën të gjitha mundësitë për bashkëbisedim me qytetarët e Pejës Istogut dhe Deçanit në veçanti. Nuk është puna që unë kam dyshime, sepse unë nuk jam njohës i mirë i detajeve nëpër kufi dhe s’jam marr me këtë fushë. Por reaksioni lidhur me këtë në Pejë, Istog dhe Deçan është i madh. Dhe Rugova si zonë ku është prek, që thuhet që janë prek. Tani e vërteta e jona në Prishtinë, me të vërtetën e tyre po dallon. Ne kemi nevojë për t’i përafruar dhe për ta pasur vetëm një të vërtetë”, tha Haliti.

E Bislim Zogaj tha se ne këtë takim përveç komisionit për Demarkacion, duhet të jenë prezent dhe ekspert e deputet, të cilët kanë qenë të zëshëm në kundërshtim të Demarkacionit.

“A kish pas mundësi që në këtë interpelancë të merr pjesë dhe pala tjetër, e cila po e kundërshton atë çka e ka bërë komisioni. Të ballafaqohen ata mes vete në prezencën tonë. E jo t’më viejnë mesazhet mua ose deputetet që është tradhtar, pa e dit ai, se as ai nuk është ekspert i kësaj fushe”, tha ai,”, tha Zogaj.

Ndërsa Vjosa Osmani, anëtare e këtij komisioni nga radhët e LDK-së tha se në këtë takim duhet të jenë dhe një listë njerëzish duke përfshijë dhe ekspertë të kësaj fushe, për të pasur një ballafaqim të drejtpërdrejtë.

“Unë po pajtohem që përveç komisionit tonë dhe komisionit shtetëror, ju si kryesues t’i bëni ftesë dhe një liste njerëzish që përfshin deputetë, që deri tani kanë qenë më aktiv në dhënien e mendimeve, qoftë pro qoftë kundër rreth kësaj çështje. Apo ndoshta të i dërgohet ftesa gjithë deputetëve por dhe ata 5,6 emra në komunitetin e ekspertëve, të cilët kanë qenë më aktiv në përgatitjen e qoftë publikimeve qoftë prezantimit në opinioneve rreth kësaj çështje. Të kemi një ballafaqim të drejtpërdrejtë, e jo vetëm nëpërmjet mediave. Në mënyrë që edhe ne si deputet të kemi qasje në ato argumente me të plota”, tha Osmani.

Komisioni për Integrime Evropiane, po ashtu ka miratuar Projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parav e dhe luftimin e Financimit të Terrorizmit, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Vjosa Osmani, anëtare e këtij komisioni nga radhët e LDK-së tha se ky është ndër ligjet me të rëndësishme dhe se për ligje të tilla të rëndësisë kaq të madhe, për një vend si Kosova është me rëndësi që të ketë debat publik dhe deputetët të kenë kohë ta analizojnë atë, e jo të kalojnë në mënyrë të përshpejtuar

“Është esenciale që Qeveria në të ardhmen të mos zhagis kalimin e këtyre ligjeve për muaj të tërë dhe pastaj ta qet kuvendin e Kosovës në pozitë të tillë që, ky institucion do të duhej që brenda javës të miratoj ligje të rëndësisë kaq të madhe. Sepse deputete nuk po kanë kohë ti analizojnë sa duhet e as ekspertet”, tha Osmani.

Komision i po ashtu ka përsëritur ftesën për ministrin e Drejtësisë dhe atij të Punës së Brendshme, për të raportuar rreth çështjeve që kanë të bëjnë me situatën e krijuar në Kumanovë sa i përket qytetarëve të Kosovës.

Ndërsa u tha se në rast se vazhdon mos përgjigjja e ftesës së Komisionit nga ministrat në fjalë, kjo çështje do të ngritet dhe në Kuvendin e Kosovës, pasi që kjo është shkelje e përgjegjësisë si dhe injorim i Kuvendit dhe interesave të qytetarëve.