Edhe 180 milionë euro hua për infrastrukturë

Banka Evropiane për Investime do të përkrah projekte të reja infrastrukturore, ka thënë ministri i Financave, Besim Beqaj, në një konferencë të përbashkët për media me zëvendëspresidentin e kësaj banke, Dario Scannapieco.

Lajme

17/03/2014 14:43

“Modernizimi i hekurudhës dhe punimet në rrugën Prishtinë – Pejë, janë projekte të cilat mundë të mbështeten nga Banka Evropiane për Investime”, ka thënë ministri Beqaj.

“Njëkohësisht jemi pajtuar që të kemi rritje të prezencës dhe aktiviteteve të Bankës Evropiane për investime, në Republikën e Kosovës”.

“Projekti i hekurudhës do të zhvillohet në tri faza, faza e parë do të fillon prej kufirit me Maqedoninë deri në Fushë Kosovë, faza tjetër deri në Mitrovicë, dhe pastaj në Leshak. Projekti në tërësi ka mundësi të shkon dikur rreth 180 milionë euro. Janë projekte të cilat janë afatgjate dhe mjetet do të jenë hua”, ka thënë Beqaj.

“Ajo çka është e veçanta e këtij takimi të sotëm , është hapur një dritare e re për financimin e sektorit privat. Ne nuk dëshirojmë të shohim anëtarësimin e Republikë së Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare vetëm për mes kredive sovrane, por dëshirojmë të shohim edhe përmes përkrahjes së sektorit privat, respektivisht ndërmarrjeve publike, si kredi apo hua të cilat janë bartëse të projekteve”.

Ndërkaq zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane për investim, Dario Scannapieco, ka thënë se Banka Evropiane për investim është e përkushtuar për të mbështetur ekonominë në Kosovë.

“Qëllimi i Bankës Evropiane për Investim është të ndihmojmë në realizimin e asaj strategjie dhe përmirësimin e infrastrukturës në Kosovë. Një zhvillim i qëndrueshëm nuk mund të ndodh pa mbështetje të sektorit privat dhe veçanërisht të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”

Në konferencën e organizuar ishin të pranishëm edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i Zyrë s së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Kryeministri Thaçi me kë të rast ka shprehur interesimin që pjesa e mbetur e rrugës M9 (Prishtinë-Pejë) të bashkë-financohet përmes Bankës Evropiane për Investim, në mënyrë që ajo të përfundojë sa më shpejtë që të jetë e mundur.