Edgar Çani te skuadra e madhe shqiptare

Edgar Çani mund të jetë goditja e madhe e Partizanit në merkaton e verës.

Sport

02/08/2017 11:37

Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë klubit të kuq, konfirmuan dje se Luçiano Moxhi po bën gjithçka për të bindur lojtarin përmes agjentit të tij. Meraku i madh i sulmuesit për të zgjedhur “demat” mësohet se është niveli i kampionatit dhe dilema nëse do ai do të jetë ose jo në planet e trajnerit të ri të Kombëtares, Kristian Panuçi.

Mirëpo, shembulli i sulmuesit ganez, Kaleb Ekuban, që përdori aktivizimin te Partizani si një trampolinë për të shkuar në një klub të madh në Europë (Lids Junajtid), duket se po e josh Çanin. Agjenti i sulmuesit, duke parë edhe insistimin e Moxhit, po mundohet të bindë 28-vjeçarin, i cili kërkohet nga disa klube të Serisë B, por jo vetëm.

Shtatlarti, që ka luajtur 16 ndeshje me fanellën kuqezi të Shqipërisë, la pas një sezon për t’u harruar me Pizën në Serinë B, teksa krahas problemeve financiare të klubit, Çani vuajti dëmtimet e shpeshta. Sulmuesi duket se është bindur për të ndryshuar ambient, por vijon të ketë dilemën e madhe, nëse do të pranojë ofertën e Partizanit apo të një klubi tjetër në Europë.

Në këtë periudhë, Çani ka hedhur poshtë oferta të rëndësishme nga klube si Anzhi në Rusi dhe Sherif Tiraspol në Moldavi. Rusët jepnin 300 mijë dollarë në sezon, ndërsa moldavët 200 mijë euro, por Çani nuk pranoi, pasi kërkon një tjetër kampionat.

Aktualisht, bisedimet mes drejtuesve të kuq dhe agjentit të lojtarit janë në një fazë të avancuar, në një kohë që edhe oferta mësohet se është shumë e majme për nivelin e kampionatit shqiptar.

Me shumë mundësi, nëse Çani thotë zyrtarisht “po”, atëherë do të bëhej pa diskutim lojtari më i paguar në Shqipëri. Moxhi ka disa javë që po mundohet të “godasë” me afrimin e një qendërsulmuesi, por mesa duket nuk e kanë bindur alternativat në Serinë B dhe Lega Pro.

Në këto kushte, sytë i ka fiksuar te shqiptari, i cili me karakteristikat që ka, duhet të bëjë diferencën në Kategorinë Superiore. Të kuqtë kanë aktualisht tre sulmues: Xhevahir Sukaj, Mustafa Enok Xhixhiua dhe Milan Basrak. Mirë- po, trajneri Mark Iuliano kërkon të ketë në dispozicion 5 lojtarë në repartin e avancuar.

Janë përfolur shumë emra së fundmi, madje mediat italianë shkruajnë çdo ditë për negociatat e Moxhit me sulmues që kanë mbyllur sezonin në shtetin fqinj.