Ecja njëkahëshe – One way direction!

E hidhur, por e vërtetë. Si shoqëri vazhdojmë të ngelim në shkallë të ulët të vetëdijesimit për të ndryshuar veten dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, drejtë një jete më të mirë dhe më të dinjitetshme.

Lajme

13/04/2017 16:30

Disi, dhe sikur ne vetvete kemi krijuar fole të hekurt pa shtegdalje. Zgjohemi sikur dje dhe biem në gjumë me të njëjtën përditshmëri. Flasim me të njëjtin fjalor pa ndryshime dhe pa avancim të tij. Ecim në të njëjtën rrugë, pa lakuar anash e pa hulumtuar shteg të ri. Ankohemi vazhdimisht, por me shumë vështirësi dhe rrallëherë gjejmë ide dhe alternativa për të zbutur ose shuar ankesat tona të përditshme. Gjykojmë politikanët dhe i fajësojmë për gjithçka, mirëpo të njëjtit i votojmë dhe të njëjtëve u duartrokasim sa herë që vjen radha e re e votimit të tyre. I besojmë gënjeshtarit, mashtruesit, matrapazit, hajnit dhe grabitqarit. Në vend të meritorit për postin e rëndësishëm udhëheqës, preferojmë dhe e mbështesim të dobëtin si dhe të pa aftin profesionalisht. Vazhdojmë të prodhojmë analfabetë me diplomë, në dorën e të cilëve ua lëmë amanet edukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë. Hedhim plehra dhe mbeturina kudo që na epet rasti, duke ndyrë natyrën e cila na rrethon si dhe ajrin të cilin e thithim vet.

Njeriun punëtor dhe të zellshëm e xhelozojmë, e etiketojmë dhe shpeshherë e luftojmë. Punojmë pak e fare për edukatën e mirëfilltë të fëmijëve tanë. Për interesin personal dhe pushtetar jemi të gatshëm të sakrifikojmë shtetin dhe qytetarët e tij. Kujdesin shëndetësor nuk e kemi primar as individualisht e as kolektivisht. Vrapojmë pas luksit të makinave dhe telefonave, ndërsa fëmijët tanë lozin e bredhin rrugëve në mungesë të çerdheve dhe ambienteve tjera edukative dhe rekreative. Kemi durimin të qëndrojmë në restorante deri në tri orë, me vetëm dy gllënjka kafe, duke bërë muhabet të kotë, kryesisht të natyrës së thashë-e-thënave. Punët zyrtare i kryejmë me më shumë qejf në kafe e restorante se sa në zyre e në kabinete. Drejtësinë dhe ligjet i bëjmë dhe i zgjedhim me fuqinë e forcës dhe klaneve, kurse ligjet e shkruara i zbatojmë për të dobëtit dhe të pa pushtetshmit. Përfituesit përmes mashtrimeve dhe dallavereve i quajmë të zotë e të gjindshëm, ndërsa kërkuesit e së drejtës i shkelim dhe i anatemojmë.

Për fajin tonë i fajësojmë të tjerët. Të mirën e vlerësojmë atëherë kur e humbim ose na rrëmbejnë të tjerët. Në të shumtën e rasteve e bëjmë veprimin dhe pastaj mendojmë për të dhe konsekuencat e tij. Bëhemi kryeneç për atë që nuk e njohim, dhe në të shumtën e rasteve nuk lëshojmë pe, qoftë edhe atëherë kur e kundërta na argumentohet.

Edhe Zotin e lusim për ditë më të mira, por pa u munduar dhe pa bërë angazhimin e duhur drejtë ndryshimit pozitiv!.

Përderisa nuk këndellmi kështu do të jemi, siç edhe jemi.