Ebola vret edhe një punëtor të OKB-së

Një punonjës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) i infektuar me Ebola ka vdekur në një spital në Gjermani. 

Bota

14/10/2014 13:27

Mjekët në spitalin e Leipzig njoftuan se burri, 56 vjecar vdiq përkundër përpjekjeve që  ata bënë për ta mbrojtur nga virusi vdekjeprurës, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Shpërthimi i këtij virusi në fillim të këtij viti ka vrarë deri më tani më shumë se 4000 njerëz, kryesisht në Liberi, Sierra Leone, Guinea dhe Nigeri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e përshkroi atë si virusin më të rrezikshëm të kohës moderne.

Viktima  kishte punuar si zyrtar mjekësor  i OKB-së në Liberi, një prej vendeve më të prekura nga Ebola.

Ai mbërriti në Gjermani të enjten e kaluar për trajtim dhe ishte vënë në një repart hermetikisht të mbyllur.

“Pavarësisht masave intensive mjekësore dhe përpjekjet maksimale nga ana e ekipit mjekësor, punonjësi 56-vjeçar i OKB-së iu nënshtrua sëmundjes serioze infektive”, thuhej në një deklaratë të spitali Shën Georg në Leipzig.

Sudanezi është punëtori i dytë i ekipit të OKB-së në Liberi që vdes nga virusi Ebola.

BBC njofton se edhe një person tjetër i infektuar me Ebola, një mjek nga Uganda, i infektuar në Sierra Leone, është ende duke marrë trajtim në një spitalin e Frankfurtit, ndërsa një punëtor ndihmës senegalez u lirua nga një spital në Hamburg pas pesë javësh të trajtimit.

Punonjësit e shëndetësisë janë të rrezikuar nga virusi për shkak se një pjesë e tyre nuk i kanë kushtet për të ofruar ndihmë të infektuarve, por ka edhe prej atyre që kanë neglizhuar thirrjet ëpr të treguar kujdes.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se epidemia kërcënon mbijetesën në shtetet e pazhvilluara siç janë ato të Afrikës Perëndimore të goditura nga ky virus.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe shuam shtete tjera perëndimore kanë vendosur skanerët në aeroporte, nëpër të cilët duhet të kalojnë (kontrollohen) të gjithë pasagjerët që vijnë nga vendet e goditura nga Ebola.