Ebola në SHBA, nën vëzhgim 120 persona

Zyrtarët shëndetësorë në Teksas të Shteteve të Bashkuara thonë se 120 persona po mbahen të monitoruar, për shkak mundësisë që ata të jenë infektuar me virusin vdekjeprurës ebola.

Bota

20/10/2014 18:15

Këta 120 persona kanë mundur të kenë pasur kontakt me tre të sëmurët nga ebola, në Dallas të Teksasit.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, 43 persona kanë kaluar periudhën e vëzhgimit prej 21 ditëve dhe ata tani janë jashtë rrezikut.

Por të tjerët, vazhdojnë të jenë të rrezikuar.

Si transmeton REL, 7 nëntori është dita kur mbaron periudha e ekzaminimit për të gjithë personat që po monitorohen.

Pas vdekjes së pacientit me ebola, i cili kishte arritur në spitalin në Dallas pas kthimit nga Liberia, dy infermiere që kanë pasur kontakt me të sëmurin janë sëmurë në këtë spital.

Këto tri raste kanë bërë që edhe 120 persona, të gjithë të dyshuar se kanë pasur ndonjë kontakt me infermieret e sëmura, të jenë të dyshuar për infektim me virusin ebola.