Ebola, duhet kontrolluar edhe haxhinjtë

Autoritetet egjiptiane janë duke futur në skaner secilin udhëtar që po hyn në këtë vend nga Arabia Saudite, si mase mbrojtëse nga përhapja e mundshme e virusit vdekjeprurës të quajtur Ebola.

Lajme

14/10/2014 17:56

Autoritetet shëndetësore saudite janë të lumtur që gjatë haxhillëkut në Mekë, sipas tyre nuk ka shpërthyer kurrfarë epidemie, përkundër faktit se në qytetin e Shenjtë Islam ishin mbledhur mbi dy milionë njerëz nga e gjithë bota.

Për të parandaluar përhapjen e virusit Ebola, Arabia Saudite kishte kontrolluar pelegrinët që vinin nga Afrika Perëndimore, por sipas mediave të atjeshme, është e pamundur që kjo te jetë bërë qind për qind.

Sipas BBC-së, pjesëmarrja e pelegrinëve myslimanë nga Afrika Perëndimore, aty ku ka shpërthyer virusi, në pelegrinazhin e përvitshëm në Mekë, përveç Arabisë Saudite ka shqetësuar edhe shtetet nga ku kanë shkuar besimtarët, në veçanti Egjiptin, transmeton lajmi.net.

Përveç se nga ky vend shkojnë shumë besimtarë për të kryer haxhillëkun, Egjipti njihet edhe si urë lidhëse për shumicën e afrikanëve që udhëtojnë në Azi. 

Të hënën e të martën, udhëtarët që kanë zbritur apo janë ndalur në Kajro, për kalim transit, u është matur temperatura dhe janë kontrolluar nëse kanë ndonjë simptomë tjetër të infektimit.      

Ebola, një sëmundje ngjitëse, ka vrarë të paktën katër mijë veta që nga fillimi i këtij viti, ndërkohë që vendet perëndimore, në veçanti Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania, po bëjnë përpjekje për të zbuluar vaksinën kundër këtij virusi, që nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është shpallur si një nga më të rrezikshmit të kohës sonë. 

Për haxhillëk në Mekë si zakonisht edhe këtë vit ka shkuar një numër besimtarësh myslimanë nga Kosova.

Kryeministri Hashim Thaçi javën e kaluar ka njoftuar se ka ngritur një grup të veçantë ndërministror për të parandaluar përhapjen e mundshme të këtij virusi në Kosovë, por deri më tani askush asgjë nuk ka thënë nëse janë marrë masa konkrete të “skanimit” të udhëtarëve që vijnë nga haxhi apo Afrika Perëndimore.