E vrau me sëpatë për motive të dobëta, Gjykata në Pejë e dënon me 13 vjet burg të pandehurin

Gjykata në Pejë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka shpallur aktgjykimin ndaj dy të pandehurve, për veprat penale, ‘vrasje’ dhe ‘vrasje në tentativë’.

Lajme

30/11/2018 12:16

Të pandehurin F.LL gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) vite në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton lajmi.net.

Të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues – konfiskimi i armës dhe është urdhëruar shkatërrimi i saj.

Ndaj të pandehurit është vazhduar paraburgimi deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë por jo më gjatë se dënimi me burgim.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, të dëmtuarit janë udhëzuar në kontest të rregullt civil.

I pandehuri F.LL detyrohet që gjykatës në emër të shpenzimeve të procedurës penale të ia paguaj shumën prej 100 (njëqind) euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 30 (tridhjetë) euro ndërkaq, në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro.

I pandehuri F.LL është shpall fajtor për shkak se:

“Me datë 14.07.2017, rreth orës 15:15 min, në Pejë, me dashje, para shtëpisë së tij ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin I.G, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje që kishte këtu i pandehuri me viktimën, i njëjti ditën kritike derisa viktima kishte zbrazur drunjtë në rrugë para dyerve të shtëpisë së tij ku një pjesë e drunjëve të zbrazur kishin prekur murin e këtu të pandehurit, i njëjti vjen dhe i drejtohet viktimës me fjalët “pse po ma prek murin me dru” e më pas hynë nëoborrin e shtëpisë së tij e merr sëpatën dhe me çyk të sëpatës e godet viktimën dy herë në pjesën e sipërme të kokës dhe vetullën e majtë ku si pasojë e plagëve viktima ndërron jetë ”

Me çka ka kryer veprën penale vrasje nga neni 178 të KPRK-së dhe,

“Më parë ka siguruar dhe deri me 14.09.2017, në Pejë, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion dhe atë një pistoletë, 2 karrikator dhe 59 fishekë, në atë mënyrë që ditën kritike me armën në fjalë kishte goditur viktimën F.G duke i shkaktuar vdekjen”

Me çka ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Meqë në shqyrtim gjyqësor është vërtetuar se i pandehuri F.LL ka vepruar në mbrojtje të nevojshme, është liruar nga dënimi për shkak se :

“Me datë dhe vend të cekur si më lartë, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin F.G, në atë mënyrë që ditën kritike pasi që djali i viktimës këtu i dëmtuari F.G kishte kuptuar se babai i tij ishte goditur me sëpatë në kokë nga i pandehuri F.LL dhe si pasojë kishte ndërruar jetë në spital, merr armën dhe shkon te shtëpia e të pandehurit dhe shtënë disa herë në drejtim të viktimës, ku në ato momente viktima ishte në oborrin e shtëpisë së tij dhe kur vëren të pandehurin duke shtënë me armë, i njëjti me qëllim që ta zmbraps sulmin e atëçastshëm dhe të rrezikshëm nga vetja nxjerr armën dhe shtënë në drejtim të viktimës 7 herë, nga të cilat viktima goditet me tre plumba dhe atë dy herë në pjesën e poshtme të stomakut dhe një herë në krahë, e më pas viktima largohet nga vendi i ngjarjes dhe familjarët e dërgoj në në spital”

Me çka ka kishte për të kryer veprën penale vrasje në tentativë në rrethana të tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme nga neni 178 lidhur me nenin 28 lidhur me nenin 12 par.3 të KPRK-së.

Ndërkaq të pandehurin F.G gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite dhe dënim me gjobë në shumë prej 5.000 €.

Dënimi me burgim fare nuk do të ekzekutohet me kusht që i pandehuri në afat prej 1 (një) viti të mos kryej vepër të re penale.

Të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues – konfiskimi i armës dhe është urdhëruar shkatërrimi i saj.

I pandehuri F.G detyrohet që gjykatës në emër të shpenzimeve të procedurës penale të ia paguaj shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 30 (tridhjetë) euro ndërkaq, në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 (pesëdhjetë) euro.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, i dëmtuari është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

I pandehuri F.LL është shpall fajtor për shkak se:

“Me datë 14.07.2017, rreth orës 15:15 min, në Pejë, me armë ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin F.LL, në atë mënyrë që i pandehuri pasi që kishte dëgjuar se babai i tij kishte ndërruar jetë si pasojë e goditjeve me sëpatë në kokë nga i pandehuri F.LL, i mllefosur merr armën dhe niset në drejtim të shtëpisë së të pandehurit F.LL, fillimisht fillon ta shajë dhe shtie me revole një herë e më pas afrohet te derra e oborrit, fut dorën brenda dyerve dhe nga distanca prej 4-5 metra shtie disa herë në drejtim të pandehurit F.LL i cili ishte në ballkon të shtëpisë së tij, mirëpo nuk arrin ta godet ”

Me çka ka kryer veprën penale vrasje në tentativë nga neni 178 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe,

“Më parë ka siguruar e gjer me datë 14.09.2017, në Pejë, pa autorizim ka mbajtur armë dhe municion dhe atë një revole dhe një karikator të zbrazët, me të cilën ditën kritike kishte tentuar ta privojë nga jeta të pandehurin F.LL ”

Me çka ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apeli, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/