E vërteta për Xhaminë e Madhe, nga çfarë interesa të VV-së po pengohet

Komuna e Prishtinës dhe Lëvizja Vetëvendosje po mundohen ta zvarrisin ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Dardani, ndonëse krejt procedurat ligjore për të kanë përfunduar.

Lajme

18/07/2017 19:13

Më 23 shkurt 2012, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte marrë vendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë, por as qeverisja e mëhershme e LDK-së dhe as kjo e Vetëvendosjes, asnjëherë nuk morën përgjegjësinë që ta harmonizojnë këtë lokacion me planin rregullues.

Vendimi i Kuvendit të Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit për ndërtimin e xhamisë:Kliko KËTU

Bazuar në këtë vendim, me Planin Zhvillimor Urban është caktuar edhe lokacioni afër Postës së Madhe për ndërtimin e Xhamisë së Madhe dhe për këtë plan ka pasur edhe diskutim publik, transmeton Gazeta Metro.

Ndërsa, tash, kryetari Shpend Ahmeti dhe Lëvizja Vetëvendosje, pasi flirtimit gjatë zgjedhjeve të 11 qershorit me komunitetin mysliman, për ta zvarritur ndërtimin e xhamisë kanë gjetur mbështetje edhe te disa pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët shihen si afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, e që po kundërshtojnë përmes një peticioni, duke kërkuar që të ndryshohet projekti i xhamisë, sepse, sipas tyre, nuk përshtatet me arkitekturën urbane.

Kur ishte caktuar lokacioni me Planin Zhvillimor Urban dhe kur kishte diskutim publik për këtë plan, siç është paraparë me ligj, asnjëri prej këtyre pjesëtarëve të shoqërisë civile nuk kishte kundërshtuar.

Ndërsa, bazë për dhënien e lejes është Plani Zhvillimor Urban, që do të thotë se kriteri ligjor është plotësuar, mirëpo Komuna e Prishtinës ende po e zvarrit dhënien e lejes për ndërtim.

Dokument: Harta ku vërehet lokacioni i paraparë me Planin Zhvillimor Urban për ndërtimin e xhamisë

Kryetari Shpend Ahmeti, ditë më parë konstatoi se kemi të bëjmë me objekt të rëndësishëm, prandaj edhe po vonon, por kjo nuk qëndron, sepse vetë Komuna e Prishtinës nuk e ka përfshirë në listën e objekteve të rëndësishme.

Dokument: Lista e objekteve të rëndësishme në kuadër të zonës urbane të Prishtinës

Përpjekjet për ndryshimin e projektit, që mund të dyshohet se ka edhe interesa biznesore është i kundërligjshëm dhe është keqpërdorim i pozitës zyrtare, sepse me ligj Bashkësia Islame e Kosovës dhe të tjerët nuk janë të detyruar të organizojnë konkurse, pasi që detyrimet për konkurse janë vetëm për institucionet publike.

Tash, duke marrë si shkas kundërshtimin e këtyre pjesëtarëve të shoqërisë civile, lind pyetja, se ku ishin këta nënshkrues të peticionit kur ishte miratuar dhe ishte diskutuar për Planin Zhvillimor Urban, si dhe kur ishte shpallur fituesi i konkursit me këtë dukje të xhamisë?

Janë tre argumente bazike, që e obligojnë Shpend Ahmetin të mos e zvarris më ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Dardani.

1. Komuna ka marrë përgjegjësinë për sigurimin e lokacionit, dhënien e lejes dhe përshtatjen e objektin në Planin Rregullues. Si rrjedhojë, ka qenë detyrë e drejtorive përgjegjëse për të siguruar edhe lejen, gjë që nuk e kanë bërë deri më tash.

2. Plani Zhvillimor Urban e ka caktuar lokacionin për ndërtimin e xhamisë, ka pasur debat publik dhe nuk kishte asnjë ankesë kundër ndërtimit, që nga viti 2012 e deri më tash kur u adresua një peticion që po shihet i politizuar dhe i instrumentalizuar, duke i ndihmuar kështu zvarritjes së mëtejme për dhënien e lejes për ndërtimin e xhamisë.

3. Konkursi ka qenë i organizuar në vitin 2013 dhe atëherë është shpallur edhe fituesi. Asokohe nuk ka pasur ankesa as nga banorët, as nga shoqëria civile, të cilës tash nuk po i pëlqen dukja e xhamisë.

Gjithashtu, ajo çfarë ka shumë rëndësi të përmendet është se një prej pjesëmarrësve në këtë konkurs ka qenë edhe Bekim Ramku, partner Nol Binakajt, ish’kandidat për asambleist në Prishtinë, nga Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit lokale. Këta, bashkëbpunojnë me Komunën e Prishtinës përmes Fondacionit për Arkitekturë.

Bekim Ramku dhe Nol Binakaj, gjatë një takimi me arkitektin kroat të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, Andrija Mutnjakovic

Me Binakajn, Ramku është bashkëpunëtor edhe në organizatën joqeveritare Kosovo Architecture Festival, e cila bashkëpunon ngushtë me Komunën e Prishtinës.

Dokumente që konfirmojnë partneritetit e tyre: Kliko KËTU

Kërkesat e njerëzve të Vetëvendosjes të shprehura nëpër rrjete sociale për t’u ndryshuar dukja e xhamisë, dyshohet se janë edhe përpjekje për rihapjen e një konkursi të ri, në emër të kundërshtimeve të shoqërisë civile.

Por, këto dyshime bëhen edhe më të mëdha kur njerëzit e Vetëvendosjes e shprehin hapur preferencën e tyre për dukjen e xhamisë sipas projektit të Zaha Hadid, e cila ka vdekur në vitin e kaluar.

Në linkun e mëposhtëm, kur arkitektët ishin ngushëlluar për vdekjen e Zaha Hadidit, konfirmohet nga vetë këta se bashkë me arkitekten Zaha në projektin e tyre që nuk kishte fituar ka qenë edhe firma e dhëndrit të Ylli Hoxhës, Nol Binakaj, bashkë me partnerin e tij. Kliko KËTU

Ditë më parë edhe myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, e ka quajtur të pakuptueshëm faktin që prej pesë vjetësh, Komuna e Prishtinës nuk po ua jep lejen për ndërtimin e xhamisë qendrore, lokacioni për të cilën ishte ndarë te Posta e Madhe. /Gazeta Metro