E tash…?

Tash le të gëzohemi dyfish. Të gëzohemi se zyrtarizimi i Kombëtares së Kosovës për të drejtën e saj për ndeshje “shtet – shtet”, është pragu krejt i afërt i saj për pranimin në FIFA.

Opinion

21/01/2014 15:10

Dita e 14 janarit 2014 është një ditë e shënuar në historinë e futbollit të shqiptarëve. Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka sigluar daljen zyrtarisht në fushën e lojës së futbollit të Kombëtares së dytë të kombësisë shqiptare, mbas asaj të Shqipërisë. Që është ajo e Kosovës.  Ta do mendja se kombi shqiptar u bë i vetmi në historinë e njerëzimit, i cili do të ketë zyrtarisht dy Skuadra Kombëtare në sportin më popullor të Botës, që është futbolli. E rrallë, tejet e rrallë!

Nuk po shkojmë te disa vite më larg për të rrahë gjoksin. Por po qëndrojmë këtu ku jemi, ku si gazetë “PanoramaSport”, si autor pa asnjë lloj cinizmi profesional, na lind e drejta që vetvetiu të ndjejmë një kënaqësi më tepër. As që ka dyshim (shkrimet janë aty, kthejuni po të doni) se jemi të parët, absolutisht të parët, shpesh të vetmit madje, në shtypin shqiptar, që prej kohësh, kemi  nxitur një vendim të tillë, një të drejtë të tillë: të drejtën që Republika e Kosovës të ketë Kombëtaren e saj. (E cila për fat të madh si themelim historie është e gjitha vepër e një Mustafa Kruje e Ekrem bej Libohove: ajo.ka dalë për herë të parë në fushën e lojës mû në Tiranë më 29 nëntor 1942 – ditë të festimit më të çuditshëm për kah historia të 30-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë).

Mbështetjen tonë, madje të pandalshme, për Kombëtaren e Kosovës, e kemi bërë edhe duke mbajtë mbi shpinë kundërshtimet absurde të nacionalizmit të ngushtë që për muaj të tanë fliste, shkruante, komentonte me një farë fryrje madje, për “dy shtete – një Kombëtare” apo dhe për “dy shtete – një kampionat kombëtar”, ide të cilat gjithnjë i kemi përsiatur si të papranueshme, tash për tash të parakohshme, përderisa FIFA dhe UEFA “fanatike” në këto punë, ishin frenueset e para, teksa na flakëronin para syve interpretimet e tyre, shpesh të një burokracie të pamshirë.

Nuk krenohemi për këte, sepse për t’i kuptuar punët kështu, ndihmën e parë na e kanë dhënë pra, vetë rregullat po “fanatike” të FIFA-s, të cilat Shqipëria e vogël, nuk ka asnjë forcë për t’i ndryshuar. Madje vetë Federata Shqiptare e Futbollit e vetreklamuar me bujë si  lobuesja e fuqishme për pranimin e Kosovës në FIFA, nuk pati fuqi as të bëzajë kur FIFA bëri anëtare të saj deri Gibraltarin me 30.000 banorë i cili mirëfilli nuk është ende shtet!

E tash?…

Tash le të gëzohemi dyfish. Të gëzohemi se zyrtarizimi i Kombëtares së Kosovës për të drejtën e saj për ndeshje “shtet – shtet”, është pragu krejt i afërt i saj për pranimin në FIFA. Ta do mendja, siç kemi parashikuar me kohë edhe për këtë, se edhe kjo do të arrihet shumë shpejt. E ndërkohë, të gëzohemi sepse ky vendim  i fton njerëzit e futbollit që t’i kthehen Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, ta forcojnë e ta reformojnë atë, siç është propozuar në këtë gazetë po gjithë këto kohë. Ta modernizojnë këtë Kampionat që përveç synimit të tij kryesor për zhvillimin dhe përhapjen me ritme të tjera të futbollit kombëtar, ai të bëhet një farishte e dorës së parë edhe për lojtarët e ekipeve kombëtare të Shqipërisë.

Jemi të bindur se asnjë titullar – lojtar shqiptar i Kosovës, i cili ka veshur fanelën e Kombëtares së Shqipërisë, nuk ka arësye ta braktisë këte Kombëtare. Jemi të bindur se ende te futbollistë shqiptarë të Kosovës, të cilët luajnë jashtë, do të ketë prej tyre që nëse e meritojnë do të kërkojnë të luajnë edhe në të ardhmen për Shqipërinë. Ndonëse qysh sot për ta Kosova del në plan të parë, Dhe mendja të thotë se do të jenë të mirëseradhur. Por zyrtarizimi i Kombëtares së Kosovës, e cila më 2015 mund të pranohet në FIFA dhe më 2016 të nisë premierat e saj në ndeshjet kualifikuese për Kupën Botës 2018,  vetvetiu i shërben kreut të futbollit të Shqipërisë për t’i kthyer fort sytë te Kampionati Kombëtar i Shqipërisë që dihet (ndonëse disa nuk e ditkan) se është gara më e rëndësishme e sportit kombëtar, e pra edhe më e rëndësishme se vetë Kombëtarja e gjithë Kombëtaret e Republikës së Shqipërisë.

Shkruajmë fort kësisoji sepse papritmas këto dit po mësojmë se një “panik” krejt i paarësyeshëm dhe i panevojshëm po rrezikon të mbërrijë. Si të ishte fjala jo për Shqipërinë e një futbolli krejt modest, por për Spanjën – Kampione të Botës së cilës po ia merrka lojtarët Katalonja dhe po ia rrëmbeka titullin e Kampiones së Botës.

A vërtet u dashka bërë mbledhje me lojtarët shqiptarë të Kosovës për t’i pyetur, nëse do të rrinë apo do të ikin prej Kombëtares së Shqipërisë? Naivitet i tanë! Po aq sa një ide tjetër që dëgjuam se Shqipëria nuk paska interes t’i mbaka lojtarët e saj më të mirë për Kampionatin e saj Kombëtar, sepse ky Kampionat nuk mund t’i  mirëmbarështrojë ata. Kjo do të thotë se duhet të punojmë për ditë jo për forcimin, por për varfërimin e vazhdueshëm të Kampionatit të Shqipërisë. Eshtë e rëndë, tepër e rëndë mandej, nëse këto mendime dalin prej mjedisit “punëtor” apo “federalist” të futbollit kombëtar.

E tash, pra?…

Më me qetësi, më me mend në krye! Më me baraspeshë gjeopolitike, kombëtare, ndërkombëtare, qytetëse, kampionale, shqiptare, “nacionaliste”, tradicionale!  Eshtë një ditë e gëzueshme sportive dhe politike madje, garuese po e po si dhe të një ndjenje edhe më të fortë kombëtare. Kosova fitoi diçka më tepër në rrugën e konsolidimit të saj, madje edhe shtetëror, kur dihet se sa ndërpërfaqësues është sot sporti i futbollit. E, Shqipëria nga ana e saj, ka rast të fitojë një kuptim tjetër, më të pasur, si të thuash më shpirtgjërë, për vetë sportin e bukur të futbollit, i cili ende për fat të keq, nuk po dhuron gëzimet e përmasave dhe kënaqësitë shpirtërore dhe estetike të përjavshme aq të dëshiruara për qytetet e qytetarët e saj.

Na duhet të synojmë gjallërinë e bukurinë e stadiumeve të Shqipërisë. Prej këtu do të pasurohet më fort dhe më natyrshëm mandej, edhe ajo, Kombëtarja e Republikës së Shqipërisë, qoftë me shqiptarë të Shqipërisë apo qoftë me shqiptarë të Kosovës.

E tash, për fat, shpëtuam edhe prej arrogancës së emërtimit bizantin si “tradhtarë”, siç i quajtën për muaj të tanë futbollistët shqiptarë të Kosovës të cilët nuk vinin të luanin për Shqipërinë.

Edhe ky është një tjetër përfitim prej vendimit të 14 janarit 2014 të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, me siglat e saj mitike “FIFA”!

 

(PanoramaSport)