E pazakontë, kalon pa deklarata takimi Haradinaj-Hahn

Komisioneri për Zgjerim, Fqinjësi të Mirë dhe Negociata për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn, qëndroi sot në Kosovë.

Lajme

17/01/2019 18:03

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe komisioneri për Zgjerim, Fqinjësi të Mirë dhe Negociata për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn, mbajtën sot një takim të mbyllur për media, raporton lajmi.net.

Mirëpo pas këtij takimi nuk kishte konferencë siç ndodh zakonisht në takimet e tilla dhe mos mbajtja e kësaj konference është diçka e jashtëzakonshme.

Lajmi.net mëson se në këtë takim ka pasur tensione dhe tema që është diskutuar ka qenë në lidhje me vendosjen e taksës prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës.

Dhe pikërisht për shkak të këtyre tensioneve nuk kanë pranuar që të dalin në një konferencë të përbashkët.

Në anën tjetër përfaqësuesit e ekipit të komisionerit Hahn mos mbajtjen e konferencës e kanë arsyetuar me shkuarjen e tij në Tiranë.

Kujtojmë se kjo është hera e parë që ka ndodhur në Kosovë mirëpo, për shkak të mospajtimeve në lidhje me taksën edhe në Bruksel nuk ishte mbajtur konferencë pas takimit që kishte pasur Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini me palën kosovare. /Lajmi.net/