E para fushatë e qetë e pa gjuhë agresive

Tiranë- Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit- e para fushatë e qetë elektorale pas 27 vitesh tranzicioni demokratik.

Lajme

13/06/2017 10:15

Në rrugët dhe sheshet e Tiranës nuk ka asnjë portret kandidati për deputet, as logo të partive, as mitingje të zhurmshme takimesh me votuesit. Kjo është e para fushatë elektorale minimaliste, e qetë dhe larg pompozitetit, gjuhës agresive mes dy partive të mëdha në konkurrim, PS dhe PD që i japin tonin fushatave. Që të dyja dëshmuan në 27 vitet e deritanishme të regjimit demokratik dhe rotacionit të pushtetit me njëra-tjetrën aftësi për fushata elektorale me një konfliktualitet të egër dhe gjuhë urrejtjeje në ekstrem. Fushata ndryshe reflektohet edhe tek elektorati. Mungojnë biseda te zjarrta përpara një filxhani kafeje mes votuesish me vokacion të kundërt politik, që dikur përfundonin me grushta , nxjerrje thikash, armësh dhe vrasje.

Albanien AL- Ilir Kalemaj (DW/A. Ruci)Politologu Ilir Kalemaj

Fushata e qetë rrjedhoja e marrëveshjes?

Marrëveshja e 18 majit mes dy drejtuesve kryesore të jetës politike në Shqipëri, kryeministrit socialit Rama dhe kryetarit të opozitës, Basha duket se nuk i dha fund vetëm protestës tre mujore të opozitës në ҫadrën e vendosur përballë Kryeministrisë dhe ngërҫit politik që ajo krijoi.  Ajo ka prodhuar edhe këtë fushatë të qetë, të pazakontë. Të dyja palët falë kësaj marrëveshjeje kanë rënë dakort të bashkëpunojnë për reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore si edhe ҫuar përpara së bashku procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pa i vënë shkopinj nën rrota njëra- tjetrës.

Ilir Kalemaj, politolog, pedagog në Universitetin e New York-ut në Tiranë thotë për Deutsche Wellen se kjo fushatë kushtëzohet nga disa faktorë. “Marrëveshja e momentit të fundit mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të opozitës Basha dhe vendimi për të hyrë në zgjedhje secila parti më vete, pa koalicione, gjë që në mënyrë eksluzive po nxjerr në pah personalitetin e liderëve respektivë dhe jo diferencat ideore, mendoj se janë faktorë kryesorë. Fryma e mëparshme antagoniste mes liderëve Rama dhe Basha, që arrinte deri në ekstrem është zëvendësuar tani më tepër me batuta apo deklarata që nuk prekin diferencat ideologjike dhe programore të dy partive kryesore në Shqipëri,” thekson Ilir Kalemaj.

Edi Rama (Getty Images/AFP/D. Dilkoff)

Mungesë dhune mes militantëve të PS dhe PD dhe mes votuesve të tyre

Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit po zhvillohet ndryshe jo vetëm nga dy liderët kryesorë konkurrues Rama dhe Basha. Qetësia përfshin edhe militantët , edhe votuesit respektivë të dy palëve që mbizotërojnë pjesën gri të elektoratit, të pavendosurit. Ka një mungesë të dukshme dhune verbale në të dyja këto nivele.

Ermal Hasimja, politolog thotë se kjo dukuri ka në themel indiferentizmin e tyre. “Votuesit janë indiferentë. Nuk ka më diskutime të zjarrta, fyerje dhe incidente dhune mes votuesve që tradicionalisht kanë votuar PS dhe atyre që kanë votuar PD, si në fushatat e mëparshme elektorale.  Kjo qetësi natyrisht që është një zhvillim pozitiv, por me tepër sesa treguese e pjekurisë dhe emancipimit politik është treguese e indiferentizmit dhe abstenimit të votuesve që janë të pakënaqur nga të dyja palët, nga maxhoranca qeverisëse dhe nga opozita”  thotë për DW, Ermal Hasimja.

Albanien Tirana Ilir Meta (picture-alliance/AA/O. Shehu)

PS dhe PD i kërkojnë vota elektoratit për të qeverisur të vetëm

Të dyja partitë e mëdha PS –PD po u kërkojnë votuesve t’u japin votat për të patur të vetme një maxhorancë prej 71 deputetësh, pra 50  + 1 në një Parlament me 140 anëtarë. Partitë e vogla, të shumta në numër, u penalizuan dhe patën pak ose aspak përfaqësues në Parlament që në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, pas ndryshimeve kushtetuese Rama- Berisha në sistemin zgjedhor. Pas ndryshimit të sistemit zgjedhor këto parti morën pjesë në dy zgjedhje parlamentare, 2009, 2013, duke qënë pjesë të koalicioneve të dy partive të mëdha, por votat që morën shkuan në favor të partivetë mëdha, ato përfituan vetëm poste zv. ministrash dhe drejtorësh në qeverisjet e PD dhe PS.

Lulzim Basha (DW/Arben Muka)

E vetmja parti që u bë pjesë e pushtetit në 8 vitet e fundit është Lëvizja Socialiste për Integrim e Presidentit të sapozgjedhur Ilir Meta. Kjo pasi as PD  në 2009, as PS në 2013 nuk arritën dot të siguronin 71 vende në Parlament për të patur maxhorancën qeverisëse dhe qeverisur të vetme. Këtë po u kërkojnë tani votuesve të dyja partitë e mëdha: T’u japin votat për të qeverisur vetëm. Kryeministri Rama është shprehur qartë, kur në mënyrë figurative kërkoi javën e kaluar të jetë “timonieri , për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE, zhvilluar ekonominë dhe punuar për vendin pa askënd në prehër, që rrëmben timonin dhe lëviz sipas tekave të veta” duke nënkuptuar LSI-në. Jo më pak i ashpër me LSI është lideri i PD, Basha. Ai e ka quajtur LSI “Tregtarin e Venedikut” që “ka bërë dhe bën pazare politike”.

Ermal Hasimja stellvertretender Rektor der Europäischen Universität Tirana (DW/ Arben Muka)Ekspertii politikës, Ermal Hasimja

LSI në opozitë?

Analisti i pavarur i Tiranës , Aleksandër Çipa, parashikon për DW që rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit do të nxjerrë LSI nga roli i partnerit të domosdoshëm që dy forcat e mëdha politike PS-PD të krijojnë qeverinë. “Me marrëveshjen e 18 majit 2017, kryeministri Rama dhe lideri i opozitës Basha kanë projektuar një rotacion afatgjatë të pushtetit mes tyre apo edhe bashkëqeverisje. Që të dy kanë projektuar një bashkëaktrim politik për 4 vitet e ardhshme në qeverisjen e vendit dhe kanë përcaktuar edhe fatin e ‘forcës së tretë’ LSI –së, duke ia ndërprerë asaj rolin që ka luajtur në 8 vitet e fundit ‘e të domosdoshmes’ për të krijuar qeveri.”

Aleksander Cipa Medien Analyst (DW/A.Muka)Analisti Aleksandër Çipa

Kësaj here mungojnë diferencat e mëdha

Aleksandër Çipa thekson se të dyja forcat kryesore politike kanë thyer tani tabunë e përkatësisë politike. Prandaj edhe fushata që po zhvillojnë ato është pa tension dhe larg gjuhës së akuzave të rënda, tensionimit që shkarkohet në nivelin e militantëve dhe votuesve, thotë ai. “Mes slloganit të PS ‘Për Shqipërinë që duam’ dhe atij të PD ‘Republika e Re’ ka një afri të pakrahasueshme kurrë më parë mes dy partive konkurrente. Ndërsa LSI, mendoj, se  po del në një rol të parakohshëm si parti opozitare.”

Situata e qetë, falë marrëveshjes Rama-Basha, duket se mund të jetë fillimi i fundit të një ҫerek shekulli konfliktualiteti të egër, dhune verbale. Ajo mund të jetë fillimi i një mendësie dhe kulture të re politike në Shqipëri, të karakterizuar nga kompromisi dhe pragmatizmi politik konstruktiv në të mirë të vendit, pjesë kjo edhe e kritereve politike të vlerësimit të Shqipërisë nga BE./DW