E paqartë si u rrëzua busti i Nënës Terezë

Policia nuk i di ende motivet e rrëzimit të bustit të Nënë Terezës në Mitrovicë. Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Avni Zaiti, thotë se nuk dihet motivet e rrëzimit të bustit, nëse ai është rrëzuar nga dora e njeriut apo nga ndonjë erë fortë. Nisin reagimet.

Lajme

19/01/2014 12:22

(E plotësuar 14:00)

Ende janë të paqarta rrethanat e rrëzimit të bustit të Nënë Terezës në qytetin e Mitrovicës.

Rrëzimi i bustit të humanistes së njohur, i vendosur kohë më parë në qendër të qytetit të Mitrovicës, është rrëzuar mbrëmë pas mesnatës.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia thotë se ka dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar rrethanat e rrëzimit të tij, për çka ka nisur edhe hetimet.

Por, deri tani, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, thotë se nuk dihet motivet e rrëzimit të bustit, nëse ai është rrëzuar nga dora e njeriut apo nga ndonjë erë fortë.

“Bustit në fjalë dyshohet të jetë rrëzuar gjatë natës së kaluar”.

“Deri më tash mbeten rrethana të pa sqaruara, do të thotë mënyra e rrëzimit, se a është i përfshirë faktori njeri apo ka faktorë tjerë, qoftë ata teknik, të bazës së bustit apo diçka tjetër”.

“Policia i ka kryer procedurat në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për dëmtim të monumenteve në mbrojtje. Mirëpo, deri më tani nuk kem ndonjë verdikt në lidhje me këtë rast dhe gjithçka mbetet e hapur deri në ekspertizën e radhës që do të bëhet”.

“Busti është rikthyer prapë në pozitën që ka qenë dhe nuk ka pësuar dëme ekstreme”.

“Është duke u punuar në mbledhjen e pamjeve nga kamerat që kanë qenë afër aty, për të parë nëse ato mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rast, për të parë nëse bëhet fjalë për faktorin njeri si shkaktarë apo të ndonjë faktori tjetër, fjala vjen të bazamentit të bustit apo diçka tjetër”.

Ndaj rrëzimit të bustit ka reaguar edhe analisti nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu.

Ai ka thënë se si ideator, nismëtar dhe kontribuuesi kryesor së bashku me Dr.Don Jak Prenkun, i  ngritjes së përmendores së Nënës Terezës në Mitrovicë, shpreh indinjatën më të thellë me rastin e rrëzimit të bustit gjatë natës së mbrëmshme.

“Përmendorja është ngritur me kontributet vullnetare të qytetarëve nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora ku kontributin kryesor e kanë dhënë vëllezërit Gojcaj nga Amerika”.

“Ngritja e përmendores së Nënë Terezës në qytetin ku 99% të popullsisë janë myslimanë ka qenë një dëshmi e fortë e vlerave islame siç janë mirëkuptimi dhe toleranca”.

“Kryesve potencialë të kësaj vepre të ultë nuk mund t’ua paragjykojë përkatësinë etnike, fetare apo kombëtare, por një gjë është e sigurt: qëllimi i tyre është anti-Mitrovicë, anti-Kosovë, anti-katolik dhe anti-islam”.