E paparë: Familja katolike nga Gjakova shtron iftar për hoxhën nga Drenica

Është thënë gjithmonë se shqiptarët janë shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.

Fun

14/06/2017 21:39

Rasti më i fundit që vërteton këtë thënie është ai i një familjeje katolike në fshatin Bec të Gjakovës. Familja e Marjan Ndojës ka ftuar për iftar imamin e xhamisë së Drenasit, Osman Musliun.

Hoxha nga Drenica thotë se pavarësisht besimit, ata mbeten vëllezër.

“Sot jam mysafir në iftar tek i nderuar dhe shumë i respektuari Marjan Ndoja nga fshati Bec, Komuna e Gjakovës, njëherësh drejtori i shkollës së fshatit, mik i imi dhe familjes time. Është i besimit katolik, por me të cilët kemi jetuar me shekuj në respekt reciprok dhe mbajtur lidhjet vëllazërore. Ata të cilët fenë dhe besimin e kanë me bindje e përkushtim, dhe jo për para, interes apo kontrabandim, jetojnë kësisoj pa asnjë problem. Shpresoj që të na shtohet numri i besimtarëve të sinqertë dhe mos të biem në grackën e atyre që fenë e kanë bërë para apo biznes …!? Për ata që kohët e fundit mundohen me mish e shpirt të na ndajnë në baza fetare, kjo është një përgjigje. Edhe pas këtij iftari, Marjani mbetet katolik e unë mbetem mysliman por vëllezër të vërtetë. Ndërsa respekti ndërmjet nesh është shtuar dhe vazhdon. Shpresoj që kjo traditë e tolerancës të vazhdohet edhe nga gjeneratat e reja në të ardhmen… Respekt dhe nderim për familjen NDOJA, Zoti ju nderoftë.!”, shkruan Musliu në “Facebook”.