E konfirmojnë sondazhet: Trump ka përkeqësuar imazhin e Amerikës në botë

Imazhi i Shteteve të Bashkuara është përkeqësuar më tej midis aleatëve të saj tradicionalë, pas një viti në të cilin presidenti Donald Trump ngriti një sërë sulmesh verbale ndaj vendeve si Kanadaja dhe Gjermania.

Bota

02/10/2018 07:40

Sondazhi që përfshiu 25 shtete, i realizuar nga Qendra Kërkimore e Pew, gjithashtu tregoi se të anketuarit nga e gjithë bota kanë më pak besim në aftësinë e Trump për të udhëhequr, se sa në atë të Vladimir Putin të Rusisë dhe Xi Jinping të Kinës.

Që nga marrja e detyrës në janar 2017, Trump ka nxjerrë Shtetet e Bashkuara jashtë marrëveshjeve ndërkombëtare, si marrëveshja e klimës së Parisit dhe marrëveshja bërthamore e Iranit, duke u shtrirë dorën e bashkëpunimit udhëheqësve autoritarë si Putin dhe Kim Jong Un, dhe duke kritikuar fqinjët e tij dhe aleatët e NATO-s.

Në qershor, pas një samiti të G7 në Kanada, Trump refuzoi të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët me aleatët e Amerikës, duke tallur pritësin e tij, kryeministrin kanadez Justin Trudeau, si “shumë të pandershëm dhe të dobët”. Ai ka sulmuar vazhdimisht Gjermaninë për suficitin e saj tregtar, shpenzimet e ulëta të mbrojtjes dhe mbështetjen te gazi rus.

Javën e kaluar, kur mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Trump “ngriu buzëqeshjen” nga udhëheqësit botërorë, kur pretendoi se kishte arritur më shumë gjatë dy viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë, sesa pothuajse çdo administratë tjetër amerikane në histori.

Studimi tregoi se imazhi i Amerikës, i cili mori një goditje të madhe në vitin 2017, viti i parë i Trump në detyrë, vazhdoi të përkeqësohet në shumë vende në 2018-ën, veçanërisht në Evropë.