E kishte mashtruar të dëmtuarin se do t’i jepnin lopë, dënohet e akuzuara

Gjykata e Gjakovës ka shpallur aktgjykimin në rastin e të pandehurve Gjylfidane Morina dhe Marash Marku, të akuzuar për veprën penale të mashtrimit.

Lajme

18/09/2018 07:41

Gjylfidane Morina u shpall fajtore dhe u dënua me dënim me kusht prej 10 muajsh, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen vepër tjetër penale brenda  1 viti, si dhe dënimin me gjobë prej 300 euro.

E njëjta obligohet nga Gjykata që në shumën prej 3.700 euro t’ia kompensojë dëmin të dëmtuarit Zef Lleshaj në afat prej 1 muaji.

Ndërsa Marash Markun Gjykata në mungesë të provave e liron nga akuza e Prokurorisë.

Marash Marku dhe Gjylfidane Morina po akuzoheshin për mashtrim të ndodhur në nëntor të vitit 2014, të cilët ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjyqtari Mentor Bajraktari të dëmtuarin Zef Lleshaj e udhëzoi në kontest civil.

Prokuroria Themelore e Gjakovës pretendon se të akuzuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, e mashtrojnë të dëmtuarin Zef Lleshaj duke e vënë në lajthim se i njëjti duhet të anëtarsohej në shoqatën “Ne jemi pjesë e botës”.

Aktakuza shpjegon se kjo shoqatë gjendej me seli në Pejë dhe e njëjta i ndihmonte bujqit në formë të donacioneve, duke sjellë lopë nga Zvicra.

Pasi që palët bien dakord, i dëmtuari Zef të akuzuarës Gjylfidane ia kishte dhënë shumën prej 5.000 euro për blerjen e 10 krerëve lopë si dhe 100 euro për anëtarsim në shoqatë, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë thuhet se e njëjta i kishte premtuar të dëmtuarit se në afatin prej 3-4 muajsh do t’ia sjellin lopët e paguara, gjë që nuk kishte ndodhur dhe përmes lajthimit e kishin mashtruar duke i shkaktuar dëme në shumë prej 3.700 euro.

Me këto veprime dyshohet se të akuzuarit Marash Marku dhe Gjylfidane Morina, në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale të mashtrimit./kallxo.com