E gjithë pasuria e Kosovës, ligjërisht është e Kosovës

Njohësi i çështjeve ekonomike, Lumir Abdixhiku thotë se e gjithë pasuria e Kosovës, ligjërisht i takon vetëm Kosovës.

Lajme

19/01/2015 16:29

Ai thotë se kjo gjë është e garantuar edhe në vet Pakon e Ahtisarit.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Abdixhikut postuar në Facebook:

Meqë diskutimi rreth Trepçës, me të drejtë gjithsesi, ka marrë shumë hov e interesim, them t’i jap 10 pika për secilin me interes në këtë drejtim:

1. Nuk ka asnjë dyshim – dhe për këtë të mbesim të sigurt – që e gjithë pasuria e Kosovës, ligjërisht, i takon vetëm Kosovës. Kjo e drejtë ndërkombëtare na është garantuar me vet Pakon e Ahtisaarit, në nenet 8.3 e 8.4 si dhe në Aneksin 7 të pakos. Rrjedhimisht, secili shtet që njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, njeh dhe gjithë pasurinë që ndodhet në Kosovë si pasuri të popullit të saj. Ky fakt – i njohur ndërkombëtarisht pra – ka gjasë të kontestohet aq sa ka gjasë të kontestohet vet pavarësia e Republikës së Kosovës.

2. Të gjitha pretendimet e Qeverisë së Serbisë për hise në Trepçë, janë ligjërisht po aq jovalide sa edhe pretendimet e saja për gjithë Kosovën. Pra ligjërisht, dhe me legjitimitet të pranuar ndërkombëtarisht, Serbia ka zero gjasë të trashëgojë diçka nga pasuria e Kosovës, përfshirë edhe Trepçën pra.

3. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ne duhet të qëndrojmë në rehati – sidomos kur nuk ushtrojmë sovranitet mbi Veriun – përkundrazi, duhet të alarmojmë gjithë miqtë tanë për ndërhyrje politike në sistemin tonë politik; si gjitha të tjerat të deritanishmet. Mbi të gjitha, në asnjë rrethanë, nuk duhet që veprimet e qeverisë sonë të ndërlidhen me veprimet propaganduese e joligjore të Serbisë.

4. Trashëgimi i pasurisë nga Kosova, pra nga Republika e pavarur e Kosovës e krijuar më 2008, nënkupton edhe trashëgiminë e borxheve të asaj pasurie. Pra ka një parim universal të njohur mbarësisht, konform të cilit duhet të sillemi edhe ne, që trashëgimia e pasurisë nuk mund të bëhet pa trashëgimi të borxheve. Ky fakt është specifikuar po ashtu edhe në Pakon e Ahtisaarit.

5. Llogaritet që Trepça ka mbi 1.4 miliardë borxhe që mund t’i dokumentohen ndërkombëtarisht; një pjesë e madhe e të cilave ndërlidhen edhe me vet punëtorët e saj. Kosova është e liruar ndërkombëtarisht nga të gjitha borxhet diskriminuese që regjimi kolonial i Serbisë në kohën e Millosheviqit ka marrë në emër të Kosovës, porse nuk është e liruar nga borxhet e ndërlidhura me pasurinë e krijuar në Kosovë – pavarësisht formës së menaxhimit të saj. Janë borxhe të lidhura në mes të ndërmarrjes dhe institucioneve huadhënëse ndërkombëtare. Pra nëse ka një borxh të marrë për Trepçën, i cili borxh ka shërbyer për të ndërtuar asetet e Trepçës (të njëjtat që i trashëgojmë), atëherë pronësia mbi këto asete nënkupton edhe pronësi mbi borxhet e po atyre aseteve. Për këtë gjithsesi se na duhet një proces i veçantë dokumentimi.

6. Agjencia Kosovare e Privatizimit, institucion i themeluar e menaxhuar nga Kuvendi i Republikës, ka kohë që ka vendosur një moratorium rreth ndërmarrjes shoqërore të Trepçës. Ky moratorium skadon më 2 shkurt të këtij viti. Pas skadimit të moratoriumit, Trepça duhet të kaloj në proces të likuidimit. Procesi i likuidimit do të mund të nënkuptonte blerjen e Trepçës nga likuidatorët – të cilët me të gjitha ligjet aplikabile në vend (dhe ato ndërkombëtare) mund të kenë e jenë nga gjithandej e gjithkush; përfshirë edhe dikë si vet Qeveria e Serbisë. Njëtrajtësisht, nëpërmjet procesit të privatizimit nga AKP, investitori final mund të jetë i papërcaktuar nga preferencat tona. Pra edhe me likuidim edhe me privatizim të ndërmarrjes shoqërore, Trepça mund të përfundoje tek dikush me interesa të kundërta të Kosovës.

7. Në këtë rrethanë mbesin dy alternativa, e para që Trepça të shndërrohet në ndërmarrje publike. Shndërrimi në ndërmarrje publike – me ligj të veçantë – do të kthente pasurinë në pronësi të Qeverisë, por njëtrajtësisht do të nënkupton edhe marrjen përsipër të të gjitha borxheve të ndërlidhura me Trepçën. Në këtë logjikë, Kosova brenda natës mund t’i shtojë vetes mbi 1 miliardë euro borxh të njohur ndërkombëtarisht.

8. Alternativa e dytë është që të gjenden forma të mençura ristrukturimi – forma që do të ndajnë Trepçën në pjesë të ndryshme. Ndarja e Trepçës – pra ristrukturimi – do të mundësonte izolimin dhe mbrojtjen e Kosovës nga borxhet e papërcaktuara, meqë vendi do të trashëgonte vetëm pjesët që kanë më së paku borxh. Për borxhet e mëdha – me asete të vogla – mund të përdornim procesin e likuidimit.

9. Kosova ka dy javë kohë për të bërë një zgjidhje; para se të përfundojë pra afati i moratoriumit. Në këto dy javë na duhet bashkimi i gjithë faktorit ekonomik, intelektual e politik shqiptar. Jo për të bërë poentime politike e për të ofruar alternativa emocionale, por për të gjetur një zgjidhje që transferon Trepçën në aset të menaxhuar nga Qeveria e Kosovës e që trashëgon sa më pak borxhe të jetë e mundshme.

10. Nëse veçimi i Trepçës nga ndërmarrjet tjera publike – dhe sjellja jonë politike – është bërë për të gjetur një zgjidhje të mirë e me unitet nacional, atëherë, pavarësisht deklarimeve të Vuqiq e vet Serbisë, them se është bërë mirë; këto vendime nuk shkojnë kuturu. Por nëse ka një refleksion politik me sjelljet e Beogradit, dhe nëse me këtë refleksion ne rrezikojmë të përfundojmë në tavolinë dialoguese për pasurinë tonë të garantuar botërisht, atëherë them se kemi bërë një gabim trashanik e të pafalshëm; një gjë e tillë do të shpërfaqte regresin më të rëndë politik tonin që nga shpallja e pavarësisë. Shpresoj shumë të jetë e para.