E drejta e autorit nuk respektohet në vendet e Ballkanit

Shqipëria dhe Kosova nuk bëjnë përjashtim nga kjo problematikë, ndaj dhe kohëve të fundit, krahas përmirësimit të legjislacionit, janë ngritur edhe grupe task-forcë, për të kontrolluar vjedhjet e krijimtarisë, ku më problem po rezulton pirateria digjitale.

Bota

19/04/2015 19:55

Veli Hoti, zyrtar i lartë për Marka Tregtare dhe Promovime, pjesë e Agjencisë së Pronësisë Industriale në Kosovë, gjatë një seminari që u organizua këtë fundjavë në Tiranë, në një intervistë për KosovaPress, foli për problemet e piraterisë, legjislacionin, kontrollet e shtuara dhe mallrat e konfiskuara së fundmi.

Ai thotë se Shqipëria dhe Kosova kanë një legjislacion të mirë në këtë drejtim krahasuar edhe me vende të tjerë të Rajonit dhe BE-së, veçse si në shumë sektor të tjerë ne duhet të punojmë me zbatueshmërinë e ligjeve.

Për atë që ndodhet në Tiranë, thotë se ka qenë shumë e rëndësishme për Kosovën duke pasur parasysh se kanë qenë edhe vendet e tjera të rajonit si;Shqipëria, Serbia, Mal i Zi, Maqedonia, dhe ekspertët ndërkombëtarë na kanë dhënë disa ligjërata për përvojën evropiane.

“Mendoj që duhet të krahasohemi me vendet evropiane dhe jo me vendet e rajonit për shkak se vendet e rajonit nuk janë aq shumë larg nesh, ka disa vende me të cilat ne jemi më mirë se ato. Ne mund të krahasohemi me disa vende të Evropës, që edhe pse janë vende të BE-së nuk do të thotë se zbatimin e këtyre të drejtave e kanë në mënyrë perfekte, sikurse Gjermania ose Holanda. Ne mund të themi se si Kosovë dhe si Shqipëri, legjislacionin që është me rëndësi e kemi të harmonizuar me direktivat evropiane. Ne tani kemi arritur në atë fazë ku duhet të fokusohemi më tepër në ndërgjegjësimin e qytetarëve tanë, duke iu shpjeguar atyre se mjetet juridike ekzistojnë vetëm se ata duhet ta bëjnë shfrytëzimin. Por ne në Kosovë kemi marrë zotimin se në rast të nënshkrimit të marrëveshjes së stabilizim-asoocimit, ne ligjërisht do të mundohemi të krijojmë mbrojtje të njëjtë të kësaj fushe me vendet e BE-së. Por me rëndësi është që për të dyja vendet si për Shqipërinë dhe për Kosovën, me rëndësi është që të fokusohemi në zbatimin e këtyre të drejtave”, thotë ai.

Shpjegoi se task-forca e krijuar ka ndërmarrë disa aksione dhe ka konfiskuar mijëra CD.

“Task-forca në Kosovë ka ndërmarrë disa aksione kohëve të fundit. Neve kemi marrë disa aksione në Prizren. Anëtarët e task-forcës, Policia e Kosovës, inspektorati i tregut dhe zyra për të drejtën e autorit kanë dalë në Prizren, kanë hulumtuar se cilat janë dyqanet të cilat shesin mallra apo produkte të cilat ne mendojmë se shkelin të drejtën e autorit dhe pastaj ditën tjetër kanë vepruar në bashkëpunim me këto institucione të task-forcës, dhe kanë konfiskuar më tepër se sa 3 mijë CD, në Prizren. Pastaj ka pasur raste edhe në Ferizaj; është hulumtuar janë sekuestruar një numër i madh i CD-ve. Këto CD kanë pasur përmbajtje të këngëve, filmave, ose video-lojëra, të cilat task-forca i ka vërejt që këto shiten pa autorizim dhe si rezultat i kësaj ka dalë që ato janë shkelje të së drejtës ë autorit, prandaj janë konfiskuar”, thotë Hoti.

Hoti ka folur edhe për librat dhe fotokopjimin e tyre pa lejen e autorit.

“Ka pirateri. Për shembull, ne në Kosovë kemi disa qendra të fotokopjimit, të cilat i bëjnë fotokopjimet e librave të ndryshëm pa lejen e autorit. Tani çfarë kemi vërejtur ne nga aksionet e task-forcës, ndikim pozitiv ka qenë që shumë fotokopje kanë marrë autorizim nga profesorët që ti fotokopjojnë librat; që i bie që edhe pse qendra fotokopjuese e fotokopjon librin, një pjesë e fitimit të fotokopjes shkon te autori i librit. Si task-forcë në Kosovë tani anëtarët janë fokusuar më tepër më luftimin e piraterisë digjitale, sepse ka shumë uebsajte të cilat ofrojnë linçe apo lidhje të uebsajteve të ndryshme, ku pastaj vërehet se ato vendosin materiale të cilat shkelin të drejtën e autorit për shembull në muzikë apo filma, dhe këtë vit janë identifikuar një numër i madh i ubesajteve. Presim që shumë shpejt këto uebsajte të bllokohen për territorin e Kosovës dhe në bashkëpunim ndërkombëtar edhe serverët e tyre kudo që janë edhe jashtë territorit të Kosovës të bllokohen dhe thjesht të njoftohen institucionet përgjegjëse, ku serverët ilegalë gjenden”, bënë të ditur ai.

E i pyetur për vjedhjet e këngëve nga vet këngëtarët, tha se kjo është çështje mes këngëtarëve nëse duan ta padisin njëri – tjetrin.

“Praktikisht kjo është më tepër një çështje personale e këngëtarëve, për shkak se kjo ka të bëjë më tepër me të drejtën e performimit, ose e drejta e kopjimit, normalisht. Po kjo pastaj nuk i pëfshin institucionet. Kjo pastaj është çështje e këngëtarëve, mes këngëtarëve, të cilët përmes padisë mund ta padisin njëri-tjetrin për shkelje të së drejtës së autorit siç është vjedhja e këngëve , përndryshe nuk është se task-forca kundër piraterisë mund të angazhohet në këtë çështje për shkak se është çështje mes palëve dhe kjo është në të drejtën civile, pra kjo është çështje që varet nga disponimi i palëve”, thotë ai.

Në këtë intervistë për KosovaPress ai ka shpjeguar punën e tasc – forcës, se si të e para që kanë bërë është se u kanë dërguar emaile, për t’u treguar që uebsajtet që ata kanë, përmbajnë materiale që shkelin të drejtën e autorit.

Thotë se tanimë janë në fazën kur do fillojnë me veprime drastike duke kujtuar që Ligji fillon nga gjoba deri te dënimi me burgim.