E dhimbshme kjo që i ka ndodhur Iscos te Real Madrid

“Real Madrid nuk ka besim në Iscon”, ky është titulli i lajmit të Mundo Deportivo për situatën e yllit spanjoll te kampionët e Evropës.

Sport

16/11/2018 10:45

26 vjeçari po ballafaqohet me një tjetër krizë te ‘Los Blancos’, sidomos pas ardhjes në krye të trajnerit Santiago Solari.

Në katër ndeshjet e Solarit në krye të Real Madrid, Isco asnjërën prej tyre nuk e ka startuar si titullar, duke marrë mesazh të qartë se do t’i duhet të ‘nxeh’ karrigen e rezervistit në jo pak raste deri në fund të sezonit.

Mundo Deportivo ka shikuar historinë e Iscos te Real Madrid në pikëpamje kronologjike, ku ka gjetur se 26 vjeçari ka punuar me pesë trajner në ‘Santiago Bernabeu’, por asnjëri prej tyre nuk pati besimin e plotë tek ai, duke e përdoruar jo pak herë si rezervistë.

Trajneri që më së shumti e zëvendësoi Iscon te Real Madrid është Zinedine Zidane, në plot 60 raste, i ndjekur Ancelotti që e zëvendësoi 41 herë.

Situatë më të mirë Isco nuk pati as me Rafa Benitez dhe Julen Lopetegui.

Iscos, që tani po akuzohet për mbipeshë, ende nuk iu ka mbyllur dera te Manchester City, dhe në qershor mund të kompletojë një transferim në drejtim të Premierligës./Lajmi.net/