E dëshironi CR7? Ja sa kushton ai

Mediet spanjolle dhe portugeze në mëngjesin e sotëm kanë tronditur botën e futbollit.

Sport

16/06/2017 16:41

E kush tjetër mund të “trondit” botën e futbollit më shumë se Cristiano Ronaldo.

‘Abola’ portugeze dhe ‘AS’ sot kanë raportuar se Cristiano Ronaldo dëshiron të largohet nga Real Madrid, dhe vendimi i tij është i pakthyeshëm.

Katër herë fituesi i Topit të Artë është duke shijuar momentet më të mira në karrierën e tij që pas nënshkrimit me ‘Los Blancos’, pasi ndihmoi klubin në fitimin e La Ligas së parë që nga viti 2012, e gjithashtu për të dytin vit radhazi triumfuan në Ligën e Kampionëve, për të hyrë në histori të kësaj gare. Golat e rëndësishëm që ka shënuar këtë sezon, e nxjerrin atë favorit për të fituar edhe këtë vit Topin e Artë.

Jashtë fushave, portugezi ka disa kohë që është i akuzuar për shmangie nga tatimet, dhe mungesa e mbështetjes nga klubi në këtë drejtim ka shtyrë atë që të vendos për largim.

Por cila skuadër mund të paguajë kartonin e tij?

Të transferosh Cristiano Ronaldo të duhet një miliardë euro, kështu kërkon klauzola e tij e vendosur në nëntor të vitit të kaluar, pas vazhdimit të kontratës me Real Madridin deri në vitin 2021.

Kjo shifër është pothuajse 10 herë më e madhe se sa Manchester United një vit më parë i pagoi Juventusit për Paul Pogban.

Me moshën 32 vjeçare që ka Ronaldo, vështirë të besohet se dikush do të jetë në gjendje të paguajë klauzolën e tij, edhe pse ka dëshmuar se vitet janë thjeshtë numra për të, duke shënuar 10 gola këtë edicion në çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale të Ligës së Kampionëve, ku Real Madrid në fund u shpall kampion i kësaj gare./Lajmi.net/