E dënoj politikën!

Kur një popull nëpërkëmbët për kohë të gjatë, kur i shkelet dinjiteti, ka uri, dhe nuk sheh kurrfarë të ardhme në shtetin e tij, atëherë ajo pjesa që nuk ia mësynë, shembull Hungarisë, fatkeqësisht është gjithnjë e gatshme ta shfryjë mllefin, të radikalizohet e manipulohet lehtë.

Lajme

28/01/2015 17:15

Që prej pesëmbëdhjetë vjetësh qytetarët e Kosovës nuk debatojnë për asgjë më shumë se sa për politikën. Keqqeverisja nga pushtetet ndërkombëtare e vendore janë strumbullari i këtij debatit. Por pikërisht atëherë kur në horizont duket se këtij populli po i ngrihet vetëdija politike, se po kanalizohet me të drejtë pakënaqësia jonë gjithëpopullore, përnjëherësh shfaqet nga një dardan që për “15 minuta” ia rrënon shpresën për një të ardhme ndryshe, më të mirë.

Kështu ndodhi edhe një ditë më parë, kur një dardan i Lëvizjes Vetëvendosje i dha ultimatum policisë që për 15 minuta të largojë barrikadat që ishin vendosur për të penguar hyrjen me dhunë në ndërtesën e Qeverisë. Aty ku do të duhej të futeshin me votë, bënë përpjekje të futeshin me gurë. Kështu, shpresa e këtij populli për të dënuar keqqeverisjen e pushtetit me protesta paqësore u shua edhe më shumë. Menjëherë vazhdoi debati politik shoqëruar me pyetjen, “si ka mundësi”, dhe renditjen e teorive konspiracioni nga më të ndryshmet, përfshi edhe mundësinë e përfshirjes së agjenturave antishqiptare.  

Është e vështirë të flasësh në emër të popullit, por meqë këtë po e bën turli “eksperti” që prej 15 vjetësh, atëherë si qytetar, si prind dhe pa librezë të asnjë partie politike, unë e kam këtë të drejtë. Shpeshherë në historinë tonë gjejmë dëshmi se kemi vuajtur nga përllogaritja e gabuar dhe mosdija e organizmit kolektiv. Kështu ndodhi edhe dje! Gurët e opozitës dhe gazi lotsjellës i pushtetit ia dogjën edhe njëherë mundësinë këtij populli për ndryshim të shpejtë, për Kosovën ç’fare e ëndërrojmë, të zhvilluar e demokratike, dhe ia lanë të hapur vetëm një opsion – atë të ikjes drejt kampeve të Hungarisë.

Një anëtar qeverie, i cili ofendoi nënat, fëmijët e të cilave u vrarë gjatë luftës, ishte shkas për të shfryrë mllefin që po ia zë frymën këtij populli. Por deklarata e një ministri rrugaç, i cili “nuk ka dëgjuar” asnjëherë për masakrat e Serbisë të bëra në Kosovë, nuk duhet të jetë arsyeja e shfryrjes së mllefit shumëvjeçar ndaj keqqeverisjes, dhe nuk duhet të jetë as arsye e tensionimit të raporteve ndëretnike në Kosovë. Sepse, edhe sikur dikush t’iu besojë atyre teorive konspirative, prapë përgjegjësinë për deklaratën e Aleksandar Jabllanoviqit, për kaosin e djeshëm dhe gjendjen e përgjithshme në Kosovë, para dhe pas pavarësisë, e ka shumica, shqiptarët, që pas kaq vitesh vazhdon të kenë klasë politike të paaftë për të menaxhuar apo përballur me situata që po na çojnë teposhtë.  

Natyrisht, dhuna është e dënueshme ngado që të vije, por ajo që u shpërfaq një ditë më parë në Prishtinë, që përfundoi me dhjetëra protestues e policë të lënduar, dhe me dëme materiale, nuk ka të bëjë vetëm me një ministër, qoftë ky edhe rrugaç. Ishte shfryrje e mllefit të akumuluar gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve kundër keqqeverisjes, kundër korrupsionit, krimit të organizuar, nepotizmit, papunësinë dhe varfërisë, që po i detyron kosovarët për të ikur edhe nga Kosova e pavarur. Ishte shfryrje e mllefit nga ajo pjesë e radikalizuar e popullatës, e pashpresë, e papunë, e varfër, dhe lehtësisht e manipuluar, dje nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa nesër nga një lëvizje tjetër.

Prandaj më brengos e nesërmja, jo se u dogj opozita edhe kësaj radhe, por më frikëson qasja e gjithë spektrit tonë politik (pozitë e opozitë), që vazhdon të sillet sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Sillen njëjtë sikur gjatë atyre gjashtë muajve të të ashtuquajturit ngërç politik, kur liderët partiakë e sollën shtetin përpara dështimit, dhe përveç tyre, të gjithë u ndiem të tradhtuar dhe të turpëruar. Ashtu u sollën edhe sot, njëra palë akuzohet për grusht-shtet, ndërsa e tjetra për tirani.

Dhe për fund, më shumë se opozita, përshi edhe Vetëvendosjen, më frikëson demagogjia e pushtetarëve, sidomos atëherë kur ajo nuk duhet bërë – si për shembull keqardhja që kryeministri Isa Mustafa shprehu për dëmet që protestuesit e manipuluar iu shkaktuan shesheve të Prishtinës. Derisa as ky dhe as paraardhësit e tij, atëherë as sot, nuk i zbardhën kurrë arsyet e zvarritjes së punimeve në këto sheshe, përfoljen e skandaleve dhe aferave korruptive në “sheshin” e Republikës së Kosovës. Prandaj, përveç dhunës, dënoj edhe politikën e llojit “Made in Kosova”.  

P.S.
A ka ndodhur diçka e mirë që prej vitit 1999? Shumëçka! Porse gabimet që ka bërë klasa politike në Kosovë, pozitë dhe opozitë, ua kanë marrë anën gjithë atyre të mirave, që deri më tani ishin më shumë shpirtërore.