E dashura e tmerruar e opozitarit të vrarë rus: Më lironi të shkoj

Në momentin kur u qëllua për vdekje politikani opozitar rus Boris Nemtsov, ishte në shoqëri të modeles ukrainase, Anna Duritskaya, 23 vjeçare. Ajo ka kërkuar nga zyrtarët rus që ta lirojnë që të shkojë në shtëpinë e saj në Ukrainë.

Bota

01/03/2015 23:57

Anna Duritskaya, 23 vjeçare, ishte duke ecur në mbrëmje bashkë me kreun e opozitës ruse, Boris Nemtsov, kur ai u vra të premten, në një akt që u quajt terror politik.

Sipas medieve ruse, si dëshmitare ajo u ndalua për disa orë nga policia, dhe u lirua në orët e para të së shtunës. Tani ajo dëshiron të shkojë në shtëpinë e saj, por zyrtarët janë duke e e mbajtur nën kontroll të rreptë me roje të armatosura, transmeton lajmi.net.

Anna kishte dhënë një përshkrim të vrasësit, pavarësisht nga “tronditja e thellë” që ka rezultuar me humbje të pjesshme të kujtesës. Dëshmitarët thanë se në momentin e krimit vetëm bërtiste: “Ata e kanë qëlluar atë”.

Ukrainasja u ka thënë zyrtarëve se ajo dëshiron të shkojë në shtëpi, por avokati i saj tha se lëvizja e saj kishte qenë e kufizuar.

Zyrtarët thanë se ajo mund të jetë subjekt i hetimeve shtesë pasi ishte një dëshmitar okular i momentit të vrasjes. (lajmi.net)