E ardhmja e qartë e FSK’së

Agim Çeku mendon se Presidenca e Serbisë ose mediat serbe kanë manipuluar me raportimet se NATO nuk do ta lejojë FSK’në të bëhet ushtri dhe të shkojë në veri.

Lajme

27/09/2013 13:39

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku ka thënë se Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic apo mediat serbe mund të kenë manipuluar me një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO’s, Anders Fogh Rasmussen.

Mediet serbe kanë raportuar të enjten se Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s e ka garantuar Presidentin Nikolic se FSK nuk do të bëhet ushtri dhe se ajo nuk do të shkojë në veri.

“Unë jam në pritje të tekstit integral se çfarë ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO’s, dhe kjo  sipas mendimit tim do të jetë manipulim ose i presidencës së Serbisë ose i medieve të Serbisë”.

“Sekretari i NATO’s është i njoftuar në detaje se në Kosovë po ndodh një proces i cili quhet  rishikim strategjik i sektorit të sigurisë. Me këtë është duke ndodhur edhe rishikimi i FSK’së. Nga kjo del shumë qartë se FSK duhet të merr rol serioz që e ka çdo forcë ushtarake në çdo vend sovran”.

“FSK’ja të ardhmen e ka ndërtuar. Janë disa faktorë që ndikojnë në marrjen e vendimit konkret. Është një kohë që kërkohet për marrjen e vendimeve të tilla, por FSK’ja, ne si Qeveri, si Ministri këtë punë e kemi të kryer dhe e kemi shumë të qartë se çfarë dhe si do të jetë FSK’ja”, ka thënë Ministri Çeku.