Dyshime për mënyrën e shpenzimit të Fondit Zhvillimor

Komuna e Leposaviqit i ka paguar 75 mijë euro nga Fondi Zhvillimor për një projekt, por asnjëherë nuk ka pranuar fatura e as dëshmi se si do të shpenzohen këto mjete. Kjo e gjetur është pjesë e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Leposaviqit, në të cilën përmendet projekti “Mbështetja për zhvillimin e Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zhvillimin e bujqësisë” në vlerë prej afër 95 mijë euro.

Lajme

18/07/2017 16:42

Ky projekt ishte financuar nga “Fondi zhvillimor”. Për implementimin e këtij projekti është kontraktuar Agjencia për Zhvillimin Rajonal – Veri (AZhR).

Auditori ka gjetur se në të njëjtën ditë të nënshkrimit të kontratës, me datën 12 korrik 2016, është bërë edhe kërkesa për transferimin e mjeteve në vlerë 14 mijë e 236 euro. Pagesa e një pjese të mjeteve, sipas Auditorit ishte bërë pa mbulesë.

“Komuna ka kryer transferin më 19.08.2016 vetëm në bazë të kërkesës nga AZhR, pa ofrim të dëshmisë dhe arsyetimit se pse paguhen këto mjete, si dhe mënyrën se si do të shpenzohen ato mjete. Në të njëjtën mënyrë është kryer edhe një pagesë në dhjetor 2016 në vlerë 61,100€. Totali i dy pagesave arrin vlerën 75,336€ apo 79% të kontratës”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori thotë se Komuna nuk ka krijuar mekanizma për mënyrën e zbatimit të projektit dhe arsyetimit të shpenzimit të mjeteve. Madje sipas Auditorit projekti në fjalë ka mundësi të mos jetë zbatuar fare.

“Komuna nuk ka siguri se projekti do të realizohet dhe kjo mund të rezultojë në humbje të parasë dhe dështimin e objektivave të përcaktuara. Kryetari duhet të siguroj mekanizma adekuate për menaxhim të projekteve komplekse dhe mbikëqyrje të pagesave për projektet të cilat ende nuk kanë filluar dhe të siguroj se projektet do të përfundohen sipas rregullave të parapara”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka gjetur shumë shkelje të tjera në procedurat e prokurimit. Një ndër të gjeturat e auditorit është një kontratë e nënshkruar për renovimin dhe adoptimin e disa ambienteve brenda ndërtesës së komunës në vlerë 18 mijë euro.

Auditori ka gjetur se komisioni për pranimin e punëve për këtë kontratë e kishte nënshkruar raportin e pranimit të punëve, dhe sipas të njëjtit ishte kryer edhe pagesa e tërësishme e punëve.

“Megjithatë, nga verifikimi fizik i kryer nga auditimi është konstatuar se disa pozicione (renovimi i dy banjove) të punëve nuk ishin kryer. Kryetari i komunës, përmes menaxherit të projektit ka kontaktuar Operatorin Ekonomik (OE), i cili ka filluar të kryej punët e pa përfunduara. Deri në kohën e auditimit, punët në terren nuk ishin kryer ende”, thuhet në raport.

Po ashtu Leposaviqi ka dobësi edhe në pranimin dhe shpërndarjen e mallrave, ku në dy raste të ndara për blerjen e pajisjeve të TI (vlera e përgjithshme 14,000€) dhe në një rast për veshmbathje të punëtorëve (vlera 3,841€), sipas dokumentacionit të prezantuar komuna kishte kryer pranimin e këtyre pajisjeve dhe veshmbathjeve.

“Këto pajisje, sipas shpjegimeve të menaxhmentit, nuk iu janë shpërndarë shfrytëzuesve përfundimtar për shkak se ata kishin refuzuar t’i pranonin ato, ndërsa për veshmbathjet sipas komunës ato ishin të papërshtatshme dhe ishin kthyer tek furnizuesi për përmirësim. Megjithëkëtë, edhe gjatë kohës së auditimit tonë, kjo çështje ende nuk kishte përfunduar. Për më tepër këto pajisje as nuk ishin regjistruar në regjistrat e pasurive të komunës”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se kjo komunë ka mungesë të  rregulloreve të brendshme dhe arkëtim të dobët të të hyrave.

“Komuna nuk është duke zbatuar ligjin për tatimin në pronë dhe ligjin për ndërtimet, si dy burime kryesore të të hyrave. Si pasojë nuk ka realizuar të hyra nga tatimi në pronë, respektivisht nga lejet e ndërtimit, prandaj edhe niveli i mbledhjes së të hyrave vetjake simbolik”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori ka gjetur se arkëtimi i të gjitha të hyrave ende bëhet në para të gatshme dhe nuk deponohen rregullisht në llogari bankare, ndërsa evidencat mbahen në mënyrë manuale.

“Komuna ende kryen arkëtimin e të hyrave duke u bazuar në një vendim nga koha e UNMIK-ut. Për më tepër, ky vendim nuk parasheh të hyrat nga tatimi në pronë, lejet e ndërtimit, shfrytëzimin e pronave publike apo burime tjera të të hyrave komunale”, thuhet në raportin e Auditorit.

Gjithashtu Auditori i Përgjithshëm në raport thekson se Leposaviqi ka dobësi në kontrollet menaxheriale.

“Rishikimi ynë i kontrolleve menaxheriale të zbatuara në sistemin kryesor financiar të komunës ka nxjerrë në pah një raportim të dobët financiar mbi shpenzimet dhe të hyrat tek menaxhmenti i lartë, si dhe analiza të pakompletuara të ofrimit të shërbimeve”, thuhet në raport.

Po ashtu auditori vëren se Leposaviqi ka mungesë të planeve strategjike dhe se nuk ka auditim të brendshëm. Auditori thotë se vetëm dy prej 17 rekomandimeve të vitit të kaluar janë zbatuar nga kjo komunë.

Me të gjeturat e auditorit është pajtuar edhe vet komuna me Letër Konfirmimin e dërguar në ZAP. /Kallxo.com/