Dyshime për marrëveshje rreth çmime të larta të avio biletave

Agjencitë turistike të udhëtimit dyshohet të kenë marrëveshje mes vete për mbajtje të çmimeve të larta të biletave të trafikut ajror gjatë sezonit veror.

Lajme

21/04/2015 19:44

Një gjë të tillë e kanë përmendur drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil, pas pyetjeve të bëra nga anëtarë të Komisionit të Zhvillimit Ekonomik, raporton KTV.

Drejtori i këtij autoriteti, Dritan Gjonbalaj ka thënë se rritja e madhe e çmimeve të biletave në kohë vere është sinjal që jep dyshime se ato kanë marrëveshje mes vete dhe se për këtë duhet hetuar nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Gjonbalaj ka thënë se kjo mund të jetë një nga arsyet pse më 2014 ka pasur 14 për qind më pak udhëtarë sesa më 2013.

Në këtë takim, drejtues të AAC-së kanë thënë se Serbia nuk ka bërë ndonjë kërkesë për fillim të vijës ajrore me Kosovën.

Drejtuesit e Autoritetit të Aviacionit Civil kanë thënë se vitin e kaluar kanë pasur mbi 170 raporte për shkelje të rregullave të komunikacionit ajror. Një nga më seriozet ka qenë ajo e udhëtimit të kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila me aeroplan.

Për këtë të fundit kanë thënë të kenë dënuar pilotin, i cili ishte lajmëruar se Aeroporti i Gjakovës është i mbyllur dhe se nuk mund të shfrytëzohet për fluturime, mirëpo ai nuk kishte marrë parasysh paralajmërimet, duke rrezikuar transportin ajror.