Dy vitet e humbura kot

Agjenda politike në Kosovë në dy vitet e kaluara ka pasë devijime substanciale krahasuar me interesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës, me interesat e vetë shtetit të Kosovës.

Opinion

27/04/2016 15:24

Vetëm dy vet më parë, politika kosovare, fare pranë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të qershorit të vitit 2014, dukej ndryshe, shumë më ndryshe. Dallimi ishte lehtë i vërejtshëm kur skena politike vendore, e pranverës së atij viti, krahasohej me atë të viteve të mëparme, në fakt, me gjithë atë periudhën e pasluftës, prej vitit 1999-të e këndej. Por ky dallim shquhet me konkludimin tronditës, kur krahasojmë gjendjen e tanishme të politikës kosovare me atë të para dy viteve.

Të gjitha entitetet politike kosovare që në pranverën e vitit 2014-të, ia mësynë të jenë në ballë të qeverisjes me Kosovën, duke i fituar zgjedhjet e 8 qershorit, u përqendruan, me të drejtë, në temat sociale dhe ekonomike, në ofrimin e një perspektive të matshme evropiane për vendin, në domosdoshmërinë e krijimit të rrethanave kur rendi dhe ligji do të vlejnë njësoj për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Të gjitha subjektet politike kosovare përpiqeshin me ngulm të dëshmojnë orientimin e tyre politik, të qendrës së majtë dhe të djathtë, duke treguar kështu që në fakt, përbëjnë së bashku një mainstream politik, i cili, sa më i fuqishëm që është, garanton një stabilitet afatgjatë të një vend. Dhe anasjelltas: Sa më i dobët është ky drejtimi qendror politik, sa më të forta që janë tendencat e ekstremit të majtë dhe të djathtë, aq më të paparashikueshme bëhen zhvillimet politike në një vend.

Ekstremizimi i politikës në një vend demokratik, rëndom është pasojë e problemeve të thelluara sociale dhe ekonomike, apo, edhe e ngjarjeve që vijnë nga jashtë, siç po ndodhë viteve të fundit në Evropë, me dyndjen masive të refugjatëve, ndërsa në rastet e veçanta, ky  (ekstremizim), është konsekuencë e luftës si fenomen që gjithsesi shfaqë skajshmëritë individuale dhe kolektive në një shoqëri.

Drejtimi gjithsesi i ri, ky i pranverës së vitit 2014-të, sa i përket cilësisë së politikës kosovare, nuk pati jetë të gjatë. Në fakt, ai mori fund në qershorin pas-zgjedhor, për shkaqe fare mirë të njohura për të gjithë. Që prej atëherë, në gati dy vitet e shkuara, jemi shquar, objektivisht, me një tendencë që karakterizohet me rrëshqitjen e pandërprerë në një teposhtëze. Çka nuk kemi bërë prej atëherë e deri sot. Një kohë, madje, nisëm të besojmë në fallin e filxhanit të kafesë dhe në të ‘dhënat’ e horoskopit, për të marrë vesh se çka na pret si politikë dhe si vend. Pastaj, silleshim si mjekët e para katërdhjetë vjetëve të cilët mirreshin vesh në çdo sëmundje të mundshme, duke i dhënë për të gjitha ato vetëm dy-tri ilaçe, sa ishin në dispozicion në atë kohë në Kosovë. Gjithashtu, arritëm që gjithë politikën kosovare ta reduktojmë në një përplasje të madhe, të pakufishme dhe të patejkalueshme, midis pesë-gjashtë figurave kryesore në këtë vend.

U harruan kështu, të gjitha mësimet e mira të atyre disa muajve të vitit 2014-të, kur u mendua që më në fund politika kosovare do të sillet në përputhje me përvojat më të mira të demokracisë liberale, dhe, mbi të gjitha, në pajtim me interesat e qytetarëve të zakonshëm të Kosovës. Zatën, këta qytetarë nuk kanë ndryshuar gjë në dy vitet e kaluara. Si atëherë, ashtu edhe tash, ata mendojnë që politika e një vendi duhet të forcojë shtetin si shtëpi të përbashkët të të gjithë atyre që janë shtetas të tij, dhe poashtu, duhet të mundësojë një jetë më të mirë për qytetarët e një shteti.

Ne i kemi humbur, objektivisht, fare kot dy vite të kohës së çmuar të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të tij. Agjenda politike në Kosovë ka pasë devijime substanciale krahasuar me interesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës, me interesat e vetë shtetit të Kosovës.

U harruan dhe u zhvlerësuan në ndërkohë të gjitha pikat kyç të drejtimit të ri që mori politika kosovare.

U dobësua tej mase ai mainstreami politik në vend, u rikthye fjalori që ndërtohej mbi emocionet bazike në një kolektiv nacional, u ri-vendosë një luftë politike e pakursyer dhe e pakompromis midis taboreve politike.

U ekstremizuam si politikë dhe si shoqëri.

Politika kosovare e ka të domosdohme ri-kthimin kah interesat themelor të shtetit dhe të qytetarëve. Mbase, një riorganizim i skenës politike në vend, i cili tashmë ka nisur të ndodhë, gati në të gjitha partitë, tok me paralajmërimet për krijimin e subjekteve të reja, flet për shenjat e para të një këndelljeje të mundshme në politikën kosovare. (Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)