Dy të vdekur në Ambasadën izraelite në Jordani

Një incident në ambasadën e Izraelit në Aman të Jordanisë i ka kushtuar jetën dy jordanezëve, ndërsa një hebre është plagosur.

Bota

24/07/2017 09:42

Ministria e Jashtme izraelite deklaroi se dy punëtorë kishin mbërritur në ambientet e misionit diplomatik për të ndërruar disa prej mobilieve, por njëri prej tyre ka sulmuar papritur një roje sigurie me kaçavidë.

Ngjarja ndodhi në një kompleks rezidencial të fortifikuar rëndë, i cili strehon dhe ambasadën e shtetit hebre.

I gjendur nën sulm, roja i sigurisë qëlloi dhe e vrau 17-vjeçarin jordanez duke vepruar kështu në një akt vetëmbrojtjeje, sqarojnë autoritetet izraelite. Ndërsa pronari i apartamentit, i ndodhur në vendngjarje, ka mbetur viktimë e rastësishme e të shtënave e ka ndërruar jetë pak më vonë.

Një hetim ka nisur menjëherë për zbardhjen e plotë të ngjarjes që vjen në një kohë tensionesh të larta mes izraelitëve dhe botës myslimane për shkak të detektorëve të metaleve të vendosura përreth xhamisë Al Aksa.

Me mijëra jordanezë dolën të premten në rrugët e kryeqytetit për të protestuar ndaj masave izraelite në kompleksin që myslimanët e njohin si “Hamam al Sharif” dhe hebrenjtë si mali i Tempullit. Jordania është gardiania zyrtare e vendeve të shenjta myslimane në Jeruzalem.

/ Top Channel