Dy të rinj shqiptarë rrihen në Serbi sepse flisnin shqip

Dy të rinj shqiptarë janë rrahuar në mënyrë brutale në Serbi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesnatën mes të shtunës dhe të dielës në Novi Sad, ku njëri prej shqiptarëve ka marrë plagë të rënda dhe ndodhet në rrezik për jetën.

Lajme

08/10/2018 09:56

Siç raporton televizioni nacional N1 disa persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar në një stacion taksie dy të rinjtë shqiptarë me iniciale G.B dhe C.M.

Nuk dihet ende arsyeja e sulmit të shqiptarëve, por raportohet se dy të rinjtë kanë folur shqip me njëri-tjetrin.

Në një deklaratë, autoritetet serbe thonë se shqiptari C.M ka dëmtime të rënda në kokë dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin e Vojvodinës, por përsëri jeta e tij është në rrezik.

Edhe shqiptari tjetër ka marrë lëndime të rënda, por pa rrezik për jetën.

“Apelojmë te autoritetet kompetente për të sjellë autorët e këtij incidenti sa më shpejt të dalin para drejtësisë,” thuhet në deklaratën e nënshkruar nga presidenti i  Zyrës së Bashkësisë të Shqiptarëve në Serb. Ndërkohë policia është vënë në ndjekje të 4 personave, që mendohet se kanë sulmuar dy shqiptarët.